Gjykata Themelore në Ferizaj, sot ka informuar se është caktuar një muaj paraburgim kundër të pandehurit D.S. shtetas i Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri me datë 20 nëntor 2022, në kohë të pacaktuar, në një fshat në Komunën e Ferizajt, përkatësisht në shtëpinë e tij, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – e mitur, e cila është nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare, me ç`rast ka kryer akt seksual me të dëmtuarën.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Gjyqtari i procedurës paraprake, siç është potencuar, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Me këtë rast, palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.