Për dy ditë, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë janë vaksinuar 1 mijë e 657 punëtorë shëndetësorë me vaksinën Pfizer. Këtë e ka konfirmuar në një konferencë për media, koordinatori i Qendrës së Vaksinimit, Niman Bardhi. Ai ka sqaruar se ka pasur interesim të shtuar për vaksinim nga personeli shëndetësor.
“Deri më tani kemi vaksinuar 990 persona, kurse vetëm dje kishim 667 persona. Fluksi i profesionistëve shëndetësorë është shumë i madh, madje sot shihet një fluks i tyre. Mund të them që është një rritje më e madhe, por jo marramendëse diku 5-10 për qind mes AstraZeneca dhe Pfizer”, deklaroi ai.
Mexhide Sojeva, kryeinfermiere në Qendrën Emergjente, tha se arsyeja që ka pritur deri më tani për marrjen e kësaj vaksine është hezitimi për vaksinën e parë AstraZeneca.
“Po kam hezituar për vaksinën e parë, dhe për këtë arsye kam ardhur të marrë këtë vaksinë. Dhimbje diçka nuk pata dhe Covidin e kam kaluar”, u përgjigj ajo.
Kosova ka pranuar të martën kontigjentin prej 4 mijë e 680 dozave të vaksinës së Pfizerit, donacion nga Bashkimi Evropian. Kjo është pjesa e parë e 95 mijë dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.