1 mijë e 500 specializantë të rinj iu shtuan sot sistemit shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në ceremoninë solemne theksoi se Ministria e Shëndetësisë nga sivjet do të hap konkurs për specializantë çdo vit, për të mos shkaktuar ngecje në sistem.
Ministri Zemaj ka falënderuar Qeverinë dhe kryeministrin Hoti për përkrahjen, teksa shtoi se specializantët e rinj menjëherë do të bashkohen në luftë ndaj COVID-19.
“Falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe kryeministrin Avdullah Hoti për përkrahjen dhe mirëkuptimin që ka pasur për mjekët e rinj, duke vendosur që së fundi edhe 400 mjek të tjerë, t’i shtohen procesit të specializimit, me çka është rrumbullakuar numri për 1500 specializime.Në kategorinë e parë janë përfshirë profilet specialistike me prioritet nacional, specializimet e nevojshme në luftën kundër Covid-19.Specializantët e ardhshëm, menjëherë do të kyçen në parandalimin dhe luftimin e virusit.Qindra mjekë të diplomuar prej vitesh e kanë pritur këtë vendim që t’u mundësohet të ndjekin shkollimin specialistik”, shkroi Zemaj në Facebook.
Zemaj thotë se lajm tjetër i mirë është se Ministria e Shëndetësisë, nga sivjet, do të hap konkurs për specializantë çdo vit, për të mos shkaktuar ngecje në sistem.
“Jemi të inkurajuar nga interesimi i madh i mjekëve për t’u bërë pjesë e këtij konkursi, por jo të befasuar, duke marrë parasysh faktin se prej 4-5 vjetësh, Ministria e Shëndetësisë nuk kishte shpallur konkurs për specializime, duke ua pamundësuar mjekëve një të drejtë të tyre-shkollimin specialistik dhe avancimin profesional”, deklaroi ai më tej.
Në fund apeloi qytetarët t’i respektojnë masat./UBTNews