Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vetëm nga muaji janar e deri më tani janë raportuar 1109 raste të dhunës në familje. Megjithatë ajo ka theksuar se ende konsiderohet që është një numër i vogël i rasteve të cilat po raportohen.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Haxhiu ka thënë se Ministria e Drejtësisë është duke bashkëpunuar me institucionet e sigurisë dhe drejtësisë që raste të tilla të mos neglizhohen.
“Vetëm prej janarit e deri tani raste të dhunës në familje të cilat janë raportuar janë 1109 pra vetëm brenda kësaj periudhe por shqetësimi kryesor i imi lidhet me atë që ende konsiderohet që është një numër i vogël i rasteve të cilat po raportohen dhe duke pasur parasysh rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës në familje, po ashtu dhe ndërmarrjen e veprimeve nga institucionet e sigurisë por edhe drejtësisë për këto raste, Ministria e Drejtësisë është duke bashkëpunuar ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe me gjykatat në mënyrë që rastet e tilla të mos neglizhohen”, ka thënë Haxhiu.
Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në ora 15:00.