UBT News

1.1 milion fëmijë afganë mund të përballen me kequshqyerje

Në Afganistan, 1.1 milion fëmijë nën moshën 5-vjeçare ka gjasa të përballen me formën më të rëndë të kequshqyerjes këtë vit, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), pasi një numër në rritje i fëmijëve të uritur po kërkojnë ndihmë në repartet e spitaleve.

OKB-ja dhe agjencitë e tjera të ndihmës ishin në gjendje të shmangnin urinë e plotë pas pushtimit të Afganistanit nga talibanët vitin e kaluar, duke zbatuar një program masiv ndihme emergjente përmes së cilit u ushqyen miliona njerëz. Por ata po përpiqen të mbajnë ritmin ndërsa kushtet po përkeqësohen vazhdimisht. Varfëria po rritet dhe po i shtyn shumë afganë të kërkojnë ndihmë.

Çmimet globale të ushqimeve po rriten nga lufta në Ukrainë dhe premtimet për financim ndërkombëtar deri më tani nuk po realizohen, sipas një raporti vlerësimi të lëshuar këtë muaj. Si rezultat, fëmijët dhe nënat janë të pambrojtur nga kequshqyerja.

Nazia një nënë e re i ka humbur katër fëmijët e saj si pasojë e kequshqyerjes – dy vajza dhe dy djem nën moshën 2-vjeçare. Kur ata u sëmurën, ajo s’kishte të ardhura t’i trajtonte.

“Të dy vdiqën si pasojë e problemeve financiare dhe varfërisë”, deklaroi Nazia.

Nazia foli për The Associated Press në Spitalin Charakar në provincën veriore të Parwan, ku ajo dhe vajza e saj 7 muajshe po trajtoheshin për kequshqyerje. Burri i saj është një punëtor ditor, por është gjithashtu i varur nga droga dhe rrallë sjell të ardhura, tha ajo.

UNICEF, agjencia e OKB-së për fëmijë, tha se 1.1 milion fëmijë këtë vit pritet të vuajnë nga kequshqyerja./UBTNews/

Exit mobile version