Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor R.SH., për shkak të veprës penale sulmi seksual.
Sipas aktakuzës, i pandehuri që nga nëntori 2020 deri më 20 prill 2021, në Kamenicë, në intervale të ndryshme kohore, ka ushtruar sulm seksual ndaj personit nën 16-vjeç, me aftësi të kufizuara mendore.
I njëjti, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 21 prill 2021.
Prokuroria Themelore në Gjilan i ka propozuar gjykatës kompetente në Gjilan, që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit dhe krahas dëmit kryesor t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të profesionit.