UBT News

​Zvicra konfirmon mbështetjen e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi zëvendëspresidentin e Zvicrës, Alain Berset, gjatë Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos.

Sipas një komunikate të Qeverisë, gjatë takimit u vlerësuan lartë marrëdhëniet e afërta miqësore dhe lidhjet e ngushta njerëzore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Zëvendëspresidenti Berset tha se Republika e Kosovës është shtet prioritar për Konfederatën Zvicerane.

“U theksua zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit sa më të afërt për interesat dhe çështjet e përbashkëta, siç janë zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës dhe stabiliteti dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor. U vlerësua angazhimi prej shumë vitesh i Zvicrës në arritjen e këtyre objektivave, që reflektohet edhe në programet e bashkëpunimit zhvillimor dhe mbështetjes së paqes. Zëvendëspresidenti Berset konfirmoi mbështetjen e fuqishme të Zvicrës për aplikimin zyrtar të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, në një nga organizatat më të vjetra dhe më të mëdha evropiane, që qytetarëve të Kosovës do t’u mundësojë të përdorin mekanizmat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. U bisedua për mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, për të siguruar drejtësi sociale dhe ekonomike, si dhe mundësitë e shkëmbimit bilateral në fusha të ndryshme, e veçanërisht në shëndetësi”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti theksoi stabilitetin institucional, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe indikatorët pozitivë ekonomikë në Republikën e Kosovës. Ai potencoi mërgatën e Kosovës në Zvicër si pjesë integrale për zhvillimin e vendit tonë.

Duke biseduar lidhur me zhvillimet në Ukrainë, Berset tha se Zvicra mirëpret pozicionimin e qartë të Kosovës. Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë për bashkërendim dhe bashkëpunim të mëtejshëm të ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe botës demokratike, për të kundërshtuar agresionin e Rusisë, por edhe për t’u përballur me ndikimin e pasojat e mundshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Exit mobile version