UBT News

​Zjarri në Kanada, angazhim për të evakuuar banorët ndërsa flakët i afrohen qytetit

Një nga qytetet më të mëdha në veriun e largët të Kanadasë është duke u evakuuar mes paralajmërimeve se një zjarr mund të arrijë deri në fundjavë.

20 mijë banorëve të Yellowknife, kryeqyteti i Territoreve Veriperëndimore (Northwest Territories), u është dhënë kohë deri në mesditë të së premtes (18:00 GMT) për t’u larguar.

Që nga e mërkura mbrëma, zjarri ishte 17 km afër qytetit.

Një e evakuuar i tha CBC-së se makina e saj filloi të shkrihej ndërsa ajo dhe familja e saj kalonin nëpër prush për të ikur nga qyteti.

Territoret Veriperëndimore shpallën një gjendje të jashtëzakonshme të martën vonë, pasi luftuan më shumë se 200 zjarre.

Shane Thompson, ministri i Mjedisit i rajonit, tha në një konferencë për shtyp të mërkurën se gjendja e zjarreve ishte keqësuar dhe tani ato përfaqësonin një “kërcënim real” për Yellowknife.

“Dua të theksoj se qyteti nuk është në rrezik të menjëhershëm”, tha ai. “[Por] pa shi, është e mundur që [zjarri] të arrijë në periferi të qytetit deri në fundjavë”.

“Ju e vendosni veten dhe të tjerët në rrezik nëse vendosni të qëndroni”.

Zjarri lëvizi 30 km në pak orë për shkak të erërave të forta në fillim të kësaj jave, duke mbyllur dy autostradat e vetme jashtë qytetit.

Banorja Lisa Mundy përshkroi se si vetura e saj kishte filluar të shkrihej, xhami i përparmë i ishte plasaritur dhe makina e saj ishte mbushur me tym ndërsa ajo dhe burri i saj u larguan nga qyteti me dy fëmijët e tyre të dielën.

Kanadaja po kalon sezonin e saj më të keq të zjarreve në rekord, me afro 1,100 zjarre aktive që digjen në të gjithë vendin që nga e mërkura.

Exit mobile version