Nën zhurmën e goditës së tavolinave, disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë marrë fjalën në seancën e sotme plenare të Kuvendit duke u deklaruar jashtë rendit të ditës dhe duke shtruar pyetje parlamentare.
Ndërsa opozita ka protestuar duke kërkuar që të mos vazhdojnë punimet e rregullta derisa të formohet komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës së energjisë elektrikë.
“Të paktën 2 minuta heshtni, sepse po trazoni edhe dëshmorët, është dita e dëshmorëve, ju lutëm, dita e dëshmitarëve nuk përkujtohet me zhurma dhe krisma, krismat dëshmorët i patën dëgjuar në momentin e fundit të rënies së tyre, krismat nga pushkët e armikut por jo edhe krisma me shishe e grushte në tavolinë…”, ka thënë deputeti i pozitës, Enver Dugolli.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati derisa përgjigjej në pyetjen e një deputeti të pozitës, është penguar nga deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
Me kundërshtimin e opozitës, seanca ka vazhduar me propozimin dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Por pas hedhjes në votim, në mungesë kuorumi, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i ka dërguar deputetët në pauzë.