UBT News

​Zemaj: Në rast se vendoset për izolim, qeveria duhet të jap dorëheqje

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po hedh dyshime se numri i të infektuarve me variantin Omicron është shumë më i madh se shifrat aktuale. Sipas tij, Kosova po përballet me rritje enorme të rasteve me virusit për shkak të paaftësisë së Qeverisë Kurti. Në rast të izolimit, ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputeti Armend Zemaj tha se kjo qeveri duhet të jap dorëheqje.

Në konferencë për media, ai tha se në kohën e udhëheqjes së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) janë thyer të gjitha rekordet e zeza me infeksionin COVID.


“Nga paaftësia enorme qeverisëse ka rritje enorme edhe të rasteve me infeksion. Duke u bazuar në informatat që vijnë nga profesionistët shëndetësor, numri i të infektuarve me Omicron është shumë më i madh, por është kamufluar edhe me virusin e gripit sezonal. Jemi të detyruar që në vazhdimësi të bëjmë apel qeverisë qe të merret seriozisht me pandeminë COVID-19. Si dhe me trajtimin e parandalimit dhe të luftimit edhe të gripit sezonal”, ka thënë ai.

Zemaj shtoi se institucionet shëndetësore janë të stërngarkuara nga kjo situatë dhe se Ministria e Shëndetësisë nuk po i përkrah. Ai tha edhe se javë më parë, qeveria ka tentuar të menaxhojë pandeminë online.

“COVID nuk është përhapur online, andaj edhe përgjegjësia e qeverisë kundër tij nuk mund të jetë online. Mund të jetë e dëshirueshme por është e pamundur. Marrë shkas nga kjo qasje, nuk do të habitemi ditëve në vijim do të mund të premtojnë edhe vaksinimin që mund të bëhet online. Edhe kjo mund të jetë e dëshirueshme, mbase e besueshme për ta, por është e pamundur”, ka deklaruar ai.

Derisa është pyetur për mbylljen e paralajmëruar të lokaleve, ai ka rekomanduar që kjo qeveri të jap dorëheqje.

“Nëse tash shkojmë drejt një izolimi të proklamuar, ashtu siç e ka thënë qeveria, është më mirë të shpall falimentimin e saj të jap dorëheqje dhe të largohet nga udhëheqja. Të vijnë njerëz që janë kompetent që janë të dijshëm dhe që kanë vullnet, por edhe ëprkushtim për jetën e qytetarëve që jetojnë në Republikën e Kosovës”, u shpreh ai.

Në konferencë për media, Zemaj ka thënë se Qeveria Kurti ka ulur edhe buxhetin për Ministrinë e Shëndetësisë për 60 milionë euro. Ai ka kritikuar qeverinë edhe për mos-koordinim me kryetarët e komunave në vend. Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se janë të gatshëm që të japin kontributin e tyre për luftimin e pandemisë COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) në raportin e fundit të publikuar të enjten, njoftoi për 2 mijë e 708 raste pozitive me COVID-19 dhe një raste të vdekjes si shkak i infeksionit me COVID-19.

Exit mobile version