UBT News

​Zemaj: Është përgjegjësi e qeverisë të zbatojë rendin dhe ligjin në të gjithë territorin e Kosovës

Disa ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për targat, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për përgjegjësi duke deklaruar që nuk është koha e lojërave dhe mbulesës, sipas tyre të dështimeve në procesin e dialogut. Deputeti Armend Zemaj ka thënë se është koha e vendimmarrjes dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët, por edhe partitë opozitare në vend derisa ka shtuar që është përgjegjësi e qeverisë së Kosovës të zbatojë rendin dhe ligjin në gjithë territorin e vendit.

Zemaj ka kritikuar qeverinë për mostransparencë në çështjen e dialogut me Serbinë duke e quajtur atë të papërgjegjshme.

“Në ditët në vazhdimësi kemi edhe një vendim që duket do të krijojë edhe një situatë të re ose një momentum të ri edhe në procesin e dialogut por edhe në procesin e brendshëm integrues të komuniteteve pakicë që jetojnë në Republikën e Kosovës. Ne thërrasim për përgjegjësi, nuk është koha e lojërave, nuk është koha e mbulesës së dështimeve edhe në procesin e dialogut, është koha e vendimmarrjes syçeltësisë, e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar por edhe me subjektet e tjera opozitare dhe pse për qeverinë duken të vogla nga ajo arroganca e numrave por janë të rëndësishëm për proceset integruese që kalon Republika e Kosovës….Ne nuk jemi në qeveri, ne nuk udhëheqim me qeverinë e Republikës së Kosovës, është përgjegjësi e qeverisë së republikës së Kosovës që të zbatojë rendin dhe ligjin në gjithë territorin e saj ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi”, ka thënë Zemaj.

Këtë përgjigje Zemaj e ka dhënë në një konferencë për media ku ka folur për gjendjen në sektorin e shëndetësisë. Sipas tij, qeveria Kurti ka dështuar në menaxhimin e këtij sektori derisa ka shtuar se duhet të bëhen intervenime të shpejta në përmirësimin e gjendjes.

“Intervenimet duhet të bëhen të shpejta sidomos në furnizim me barna, me material shpenzues por ligji i pagave, ofrimi i pagave të dinjitetshme për profesionistët shëndetësor, mjekët dhe infermierët por edhe stafin tjetër, nëse nuk bëhet me kohë të shpejtë dhe reale atëherë do të kemi vitin e ardhshëm pothuajse një emergjencë humane profesionale në këtë sektor”, ka thënë ai.

Zemaj ka thënë se vetëm 50% ka qenë furnizimi me barna nga lista esenciale në shumicën e komunave derisa furnizimi me material shpenzues sipas tij është në nivelin 70%.

Sipas deputetit të LDK-së, vetëm për koronarografi lista e pritjes shkon deri në 1 mijë e 700 pacientë ndërsa aktualisht janë duke u ftuar pacientët e muajit shtator të vitit 2021.

“Dorëheqja edhe e një ministri dhe caktimi i një ekipi ekzekutiv për menaxhim të shëndetësisë tregon që kryeministri dhe kjo qeveri e ka pranuar dështimin e tij në këtë sektor. Se qeveria Kurti ka dështuar në menaxhimin e shëndetësisë flasin edhe shifrat e investimeve kapitale në këtë fushë. Vetëm 5% e investimeve kapitale në shëndetësi janë realizuar gjatë këtij viti. Kjo është një mesatare edhe më e tmerrshme sesa mesatarja prej 10% e realizimit të investimeve nga të gjitha ministritë e vendit. Vetëm 530 mijë e 702 euro nga 10 milion e 63 mijë euro të zotuara janë shpenzuar për projekte nga Ministria e Shëndetësisë. Në këtë ministri nga 15 projekte kapitale që janë paraparë me ligjin e buxhetit kanë filluar vetëm dy dhe ato janë vetëm në fazën inicuese të saj”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka thënë se qeveria Kurti e ka zvogëluar buxhetin për shëndetësi afër 15% derisa ka shtuar se largimi i profesionistëve shëndetësor po bëhet për shkak të pagave të ulëta dhe trajtimit jo të mirë të tyre. Ai ka thënë se për nëntë muaj të këtij viti janë larguar 180 mjekë.

Exit mobile version