UBT News

​Zelensky i kërkon Irlandës të bëjë presion për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Irlandës që të ushtrojë presion mbi Bashkimin Evropian për të vendosur sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.

Në një fjalim virtual në parlamentin irlandez të mërkurën, Zelensky tha se ai nuk mund të “tolerojë asnjë pavendosmëri” pas “gjithçka që kanë bërë trupat ruse” në Ukrainë.

“Ne do të duhet të bindim edhe disa nga kompanitë evropiane që të braktisin tregun rus. Ne ende duhet të bindim politikanët e huaj se duhet të ndërpresim çdo lidhje të bankave ruse me sistemin financiar global. Ne ende duhet të bindim Evropën se nafta ruse nuk mund të ushqejë makinën ushtarake ruse me burime të reja financimi”, tha ai.

Presidenti ukrainas i kërkoi Irlandës të tregojë më shumë lidership dhe të bindë partnerët e BE-së që të vendosin sanksione edhe më të rrepta kundër Rusisë që do të siguronin vërtet që makina ruse e luftës do të ndalet.

Komisioni Evropian propozoi të martën një paketë të pestë sanksionesh kundër Rusisë, e cila synon “të prerë edhe më thellë ekonominë ruse”.

Masat e propozuara përfshijnë një ndalim të importit të qymyrit nga Rusia me vlerë 4 miliardë euro në vit.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha sot se duhet bërë më shumë.

“Unë vlerësoj forcimin e paketës së pestë të sanksioneve të BE-së: ndalimin e qymyrit rus, hyrjen e anijeve në portet e BE-së dhe operatorët e transportit rrugor. Por do të duhet një embargo e gazit/naftës dhe heqja e SWIFT-it të të gjitha bankave ruse për të ndaluar Putin-in. Kohët e vështira kërkojnë vendime të vështira”, shkroi ai në Twitter.

Exit mobile version