Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky iu drejtua sot Kuvendit të Shqipërisë drejtpërdrejtë nga Kievi, nëpërmjet platformës Zoom.
Zelensky solli në vëmendje vrasjet dhe masakrat ruse në Ukrainë duke kujtuar edhe atë të ditës së djeshme në Odesë.
“Rusia i ka shndërruar të gjitha ditët tona në një rrezik vdekjeprurës. Dje si pasojë e një bombardimi raketor mbi qytetin tonë të Odesës, një djalë 14 vjeçar ka humbur jetën. E plagosur ka mbetur dhe një vajzë 17 vjeçare. Çdo ditë kemi një realitet të tillë. Çdo ditë ukrainasit humbasin fëmijë nga sulmet ruse”, u shpreh ai.
Zelensky u shpreh se më shumë se 600 fëmijë kanë rënë viktima të pushtimit rus.
“220 fëmijë u vranë dhe 406 u plagosën. Sot është një ceremoni lamtumire për gazetaren Vera Gyrych, e cila u vra nga një raketë ruse në shtëpinë e saj në kryeqytetin e shtetit tonë, Kiev. Raketa goditi shtëpinë e saj. Një ndërtesë e zakonshme shumë katëshe, e cila ndodhet pranë qendrës së Kievit”, tha Zelensky.