Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka sqaruar se kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama se nuk do të mund të shkojë në takimin joformal të liderëve të rajonit në Tiranë, meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor, është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.
Kryeziu ka shkruar në Facebook se para një jave kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian, Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
“Kryeministri Kurti e ka njoftuar kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë. Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar ai.