Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri mendon se të dy emisarët si Gabriel Escobar ashtu edhe Miroslav Lajçak do të kërkojnë garancinë nga kryeministri Albinin Kurti dhe autoritetet në Beograd që dialogu do të vazhdojë dhe të punohet drejt marrëveshjes përfundimtare.
Pasditen e sotme do të mbërrijnë në Prishtinë i dërguari i posaçëm i ShBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku fillimisht do të takojnë krerët e shtetit por edhe liderët politikë.
Ymeri thotë se kërkesë e parë do të jetë që dialogu ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit duhet të merret më seriozisht.
“Kërkesë kryesore do të kenë nga institucionet e Kosovës në këtë rast kryeministri, të tregojë gatishmërinë për një proces të dialogut dhe gatishmërinë për të arritur një marrëveshje të tillë, dhe besoj se me të njëjtën kërkesë dhe të njëjtin qëndrim do të shikojnë edhe në Beograd për ta marrë edhe gatishmërinë edhe të institucioneve politike atje për të njëjtën çështje. Ka gjasa tashmë siç është raportuar që në Prishtinë të diskutohen edhe ndonjë prej modaliteteve të cilat do të ishin të përfshira në marrëveshjen e kompromisit që Kosova duhet ta bëjë siç i kërkohet ta bëjë, për të arritur deri tek marrëveshja përfundimtare”, ka thënë ai.
Ymeri deklaroi se në Kosovë duhet të ndryshojë pikëpamja rreth dialogut dhe të shihet si mundësi, jo vetëm si presion për të vazhduar këtë proces.
“Mendoj se dialogun duhet ta shohim si mundësi në Republikën e Kosovës dhe jo vetëm si një lloj frike që po na imponohet nga jashtë në të cilën vetëm duhet të shkojmë pasi që nuk kemi si t’i bëjmë ballë presionit përndryshe nuk do të shkojë. Mendoj se kjo është qasje e gabuar dhe mendoj se kjo qasje mund të na sjellë m shumë probleme se sa qasja afirmative karshi dialogut”, thotë ai.
Pas vendimit për të mos lejuar mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, Ymeri thotë se i njëjti standard duhet të mbahet edhe me zgjedhjet serbe në Prill.
Megjithatë, ai thotë se Kosova duhet të tregohet e gatshme që të arrijë një marrëveshje me Serbinë për të gjetur një mundësi se si do të votojnë qytetarët me shtetësi të dyfishtë dhe sa herë ka situata të tilla.
“Natyrisht se Republika e Kosovës duhet ta vendosë një standard të këtyre çështjeve dhe çështja këtu për të cilën po flasim siç e thotë, edhe bashkësia ndërkombëtare ose vendet partnere dhe mike të Kosovës, është që ta gjejmë një modalitet që i garanton ushtrimin e të drejtës së votës për qytetarët që kanë shtetësi të dyfishtë, në këtë rast shtetësinë e Serbisë dhe Kosovës. Dhe këtë e kemi pa që ka qenë si kërkesë edhe e ambasadorëve për referendumin dhe si kërkesë tash e Bashkimit Evropian, janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje të përbashkët ta gjejnë modalitetin se si do të funksionojnë, në mënyrë që ta kemi një standard të këtij modaliteti sa herë që kemi situata të tilla. Unë mendoj që tash Republika e Kosovës nuk duhet të zmbrapset nga ky vendim që e ka marrë, por që të jetë e gatshme që ta gjejë një marrëveshje e cila nuk do t’ia cenonte të drejtën qytetarëve të Kosovës të cilët duan ta ushtrojnë të drejtën e tyre edhe të qenit shtetas të Serbisë të votojnë”, thotë ai.
Lajçak dhe Escobar do të qëndrojnë për vizitë zyrtare nga sot deri më 2 shkurt, ku do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.