UBT News

​Xhaçka: Siguria në rajonin tonë merr një rëndësi të shtuar nga BE

Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka shprehur vlerësimin për rigjallërimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke theksuar nevojën që të ruhet ritmi me veprime konkrete nga ana e BE, siç është përparimi në procesin e negociatave, duke hapur këtë vit negociatat për grupin e parë të kapitujve.

Xhaçka pas takimin e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor me ministrat e Jashtëm të BE-së, Perëndimor, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, i cili u mbajt në Bruksel, ka thënë se qëllimi i takimit ishte thellimi i dialogut midis BE dhe vendeve tona për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Ajo tha se në këtë takim kanë diskutuar mbi nevojën e ruajtjes së unitetit evropian dhe mbështetjen e parezervë për Ukrainën, respektimin e parimeve ku bazohet siguria jonë e përbashkët evropiane dhe rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

“Shqipëria rikonfirmoi pozicionin e saj të palëkundur për linjëzimin e plotë me vendimet e Bashkimit Evropian, duke u bërë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbrojtëse e vlerave të përbashkëta evropiane, gjë për të cilën u përgëzuan edhe nga përfaqësuesi i lartë Borrel dhe nga vendet anëtare të BE. Në këtë situatë sigurie në Evropë, stabiliteti dhe siguria në rajonin tonë marrin një rëndësi të shtuar. Shpreha vlerësimin për rigjallërimin e procesit të zgjerimit, por duke theksuar nevojën që të ruhet ritmi me veprime konkrete nga ana e BE. Nga pikëpamja jonë kjo do të thotë, se pari përparim në procesin e negociatave, duke hapur këtë vit negociatat për grupin e parë të kapitujve”, tha ajo.

Ajo shtoi se nga BE ka kërkuar mbështetje edhe në aspektin ekonomikë dhe atë të sigurisë.

“Stabiliteti kërkon rritje ekonomike në vendet tona. Reformat që Shqipëria ka ndërmarrë janë kyç për rritjen ekonomike por na nevojitet një mbështetje më domethënëse e Bashkimit Evropian, përmes rritjes dhe rikonceptimit të asistencës financiare. Së treti, në situatën e pasigurtë gjeopolitike ku ndodhemi, kërkova mbështetje për forcimin e kapaciteteve tona për tu përballur me sfidat e kohëve që po jetojmë. Kjo përfshin sidomos mbrojtjen kibernetike”, tha ajo.

Xhaçka kishte edhe një takim me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, të cilit i ka shkrehur dëshirën e sinqertë që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen Beleri, të mund të vazhdojmë bashkëpunimin miqësor për të cilin thotë se kanë hapur tashmë një faqe të re.

“Kolegu Dendias paraqiti qëndrimin e tij dhe unë bëra shumë të qartë qëndrimin tonë se kjo nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut. Është çështje e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar. Është çështje e luftës kundër fenomenit të blerjes së votës, si një prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia në respekt të ligjit kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote. Pra, kemi të bëjmë me një çështje që i përket gjyqësorit dhe ku nuk ka vend për ndikime politike nga brenda e jashtë Shqipërisë. Për pavarësinë e gjyqësorit ne jemi investuar në mënyrë serioze sikundër është investuar edhe Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare”, ka thënë ajo.

Exit mobile version