Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka mbajtur mbledhjen konstituive, ku u kërkua që këtij komisioni t’i shtohen edhe raportet e komunave me buxhet të madh, gjë që do të përbëjë risi në këtë komision.
Këtë propozim e pati deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, i cili tha se do të ishte mirë të fillohet me një praktikë të re, ku të bëhet edhe shqyrtimi i raporteve të komunave, pasi kryetarët e komunave nuk kanë raportuar më parë në këtë komision.
Teksa sugjeroi që deri sa të fillojë shqyrtimi i raporteve të vitit 2020, të vazhdohet me shqyrtimin e raporteve të vitit 2019.
“Kisha propozuar që të paktën 10 komuna që e kanë buxhetin më të madh të vijnë dhe të raportojnë”, tha ai.
Edhe deputetja Mirlinda Sadiku tha se Komuna e Prishtinës ka një buxhet të madh prej 52 milionë euro, dhe do të ishte mirë të ishin edhe komunat në planin e punës, siç tha ajo, së paku 5 të parat.
“Ma merr mendja që mund të gjendet hapësirë dhe të shqyrtohen, sepse këtu jemi të thirrur ta ruajmë paranë publike. Prandaj pajtoj plotësisht me Emanin, besoj se do të mund të gjendet hapësirë”, tha ajo.
Kurse deputeti nga radhët e PDK-së, Fadil Nura tha se në rast se merret një vendim i tillë për përfshirjen e komunave në raportim para këtij komisioni, duhet të vlejë e njëjta për të gjithë në mënyrë që të mos diskriminohen komunat.
Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, Hykemete Bajrami tha se mbetet që stafi mbështetës të përgatisë planin e punës dhe të vendoset se me cilat raporte të fillohet.
Me rastin e konstituimit të këtij komisioni, ajo tha se sa më profesional që të jetë, do të kontribuojë në shpenzimin e ligjshmërisë së financave të buxhetit të shtetit.
Bajrami propozoi që të shqyrtohen edhe raportet financiare të fushatave elektorale, pasi tha që këto te fundit nuk janë audituar që nga viti 2018.
Në mbledhjen e radhës presim të kemi edhe një draft-pune dhe të fillojmë sipas planit. Mbledhja tjetër e këtij komisioni pritet të mbahet të mërkurën.