Në debatin parlamentar për rritjen e çmimeve, kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari Lila tha se është e pashmangshme që kriza aktuale në botë të mos ketë efektin e saj edhe në Kosovë, por ka shtuar se për këtë nuk duhet t’i drejtohet gishti qeverisë aktuale.
Deputetja Kusari Lila tha se debati i sotëm ka për qëllim thellimin e panikut dhe ndjenjës së paqartësisë në kohën kur e gjithë bota dhe natyrisht Kosova ballafaqohen me pamjet e rënda të luftës së egër në Ukrainë
“Debati i sotëm po synon të imponojë mendimin se qeveria e Kosovës nuk është aktive apo nuk po reagon ndaj ngjarjeve të cilat po ndodhin rreth nesh apo mes nesh. Shembulli është aksioni i djeshëm në pikë kalimet kufitare ku pas një viti hetime e përcjellje u ndër morë një aksion i pa parë deri më tani nga vet policia e Kosovës. Nuk dua të paragjykojë për fajësinë apo jo, megjithatë, fakti se konfirmohet se askush nuk është i paprekshëm përfshirë edhe Policinë e Kosovës, tregon për nivelin dhe seriozitetin aktual ndaj rendit dhe ligjit të kësaj qeverie. Debati i ftuar për ditën e sotme përveç se synon të keq informoj për mos iniciativat e ashtuquajtura të qeverisë, për qëllim ka edhe thellimin e panikut dhe ndjenjës së paqartësisë në kohën kur e gjithë bota dhe natyrisht Kosova ballafaqohen me pamjet e rënda të luftës së egër në Ukrainë”, theksoi ajo.
Sipas Kusari Liles, e njëjta ndjenjë e panikut u provua të ushqehej dhe rritej nga një kompani ose disa kompani të tjera kosovare.
“Fatkeqësisht ishte njëjta ndjenjë e cila u provua të ushqehej dhe rritej nga një kompani ose disa kompani kosovare të cilat siç duket përfitimet nga kriza qoftë ajo e pandemisë, apo tani e luftës në Ukrainë, e kanë specialitet me qëllim puro komercial, qoftë edhe nëse ky fitim e nënkupton krijimin e panikut dhe stresit nga pamjet që shohim. Ato kompani i bën ato lëvizje për përfitime komerciale, ndërsa ju sot natyrisht se e bëni këtë debat për përfitim politik. Po ta analizojmë edhe një herë se sa e qëndrueshme është teoria e juaj për mos aktivitetin e qeverisë, nga fillimi i pandemisë deri më tani pakot dhe ndihmat e rimëkëmbjes janë përgatitur dhe janë shpërndarë qytetarëve në nevojë. Disa nga këto masa kanë qenë të drejtpërdrejta dhe ishin të parapara edhe me buxhetin e vitit që lamë pas, e gjithashtu u vazhduan edhe me buxhetin e vitit 2022”, u shpreh ajo.
Kusari-Lila ka përmendur një varg masash, që sipas saj i ka marrë Qeveria Kurti për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, dhe shtoi se kriza tani është e pa shmangshme edhe për Kosovën.
“Është e pa shmangshme se kriza aktuale në Evropë dhe në botë e preku Kosovën dhe do të vazhdojë të ndikojë në krijimin e vështirësive tjera të cilat po i shohim se janë të njëpasnjëshme. Por, është e pa drejt të akuzohet kjo qeveri për mos aktivitet apo mos ndjeshmëri ndaj realitetit të krijuar…. Andaj çfarë do politike propaganda apo goditje për të përfituar politikisht nga kriza është e pa qëndrueshme dhe pa efekt në raport me masat dhe veprimet e qeverisë së përgjegjshme”, theksoi ajo.