Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka shkelur edhe marrëveshjen e vitit 2013 për Asociacionin e komunave serbe, pasi vazhdon të pengojë rrugën evropiane të Kosovës. Kurti ka përmendur letrën që Vuçiq i dërgoi pesë vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, duke kundërshtuar aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurtisot është pyetur nga mediat serbe lidhur me asociacionin, ku ka rikujtuar se marrëveshja është nënshkruar më 19 prill 2013 nga ish-kryeministri, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, por se ajo marrëveshje është shkelur nga vetë presidenti i Serbisë, Vuçiq më 10 dhjetor të vitit të kaluar.
“Ju e dini se janë 27 shtete në Bashkimin evropian, por pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën, dhe presidenti i Serbisë ka nënshkruar një letër kundër aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin evropian, që është shkelje. Ai e ka shkelë marrëveshjen e tij të preferuar sepse në pikën e katërmbëdhjetë të asaj marrëveshjeje thuhet se Kosova dhe Serbia nuk do t’i krijojnë asnjë pengesë njëra-tjetrës në rrugën e integrimeve evropiane, domethënë ajo marrëveshje, në të cilën thirret Beogradi zyrtar, ajo marrëveshje është shkelur një muaj e gjysmë më parë nga presidenti serb”, ka thënë ai.
Sipas tij, nuk mund të themi se një marrëveshje është më e rëndësishme se të tjerat, pasi të gjitha 33 marrëveshjet janë të barabarta dhe do të trajtohen në negociatat që do të zhvillohen në Bruksel, të cilat në thelb kanë propozimin e fundit të komunitetit evropian, i cili mori mbështetje veçanërisht nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.