Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq iu drejtua mediave në Berlin, ku u takua me ministren gjermane të Mbrojtjes, Analen Berbock.
Sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 13 maj.
“Pozicioni ynë është i vështirë, tmerrësisht i ndërlikuar, me deklaratat e presidentit Putin edhe më shumë. Unë do të flas për këtë nesër. Kam frikë se do të jetë gjithnjë e më e vështirë ekonomikisht”, tha ai.
Vuçiq tha gjithashtu se darka joformale e mbrëmshme me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ishte shumë e vështirë.
Ai nuk dha detaje nga takimi, por tha se biseda ka qenë “shumë e vështirë”.
“Bisedimet do të vazhdojnë. Drejtori i Zyrës për Kosovë Petar Petkoviq, më 13 maj do të shkojë në Bruksel për të tentuar të pajtohet për diçka”, tha Vuçiq.
Pas takimit me shefin e diplomacisë gjermane, Vuçiq tha se ka biseduar me kancelarin gjerman Olaf Scholz për krizën në Ukrainë dhe Kosovën.
“Është e rëndësishme të bisedohet me përfaqësuesit gjermanë, sepse është shteti më i madh dhe më i rëndësishëm në Evropë. Ne nuk mund ta ndryshojmë qëndrimin e Gjermanisë për Kosovën. Mos u bëni fëmijë, nuk do të ndodhë”, tha ai, përcjell B92.