UBT News

​Vritet një polic në veri

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë një polic i Kosovës, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Lajmi është dhënë nga kryeministri Albin Kurti përmes rrjeteve sociale. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviqit ku është sulmuar patrulla policore.

Sipas Kurtit, sulmet ndaj policisë së Kosovës janë duke vijuar ende.

“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”, shkroi Kurti.

Kurti dënoi këtë sulm të cilin e cilësoi si kriminal dhe terrorist e të mbështetur nga Beogradi zyrtar.

“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”, shtoi Kurti.

Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B.. Ndërsa polici i plagosur sipas Kurtit është jashtë rrezikut për jetë. Ai ka shprehur ngushëllimë familjes dhe të gjithëve për policin e vrarë ndërsa i uroi edhe shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur.

Exit mobile version