Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë një 23-vjeçar me inicialet D. K dhe një 32-vjeçar me inicialet D. A, të dyshuar për rastin “Vrasje në tentativë” të ndodhur më datë 13 janar në rrugën “Bajram Bahtiri”, në Prishtinë.
Sipas Policisë, arrestimi i të dyshuarve erdhi si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme operativo-policore me ç’rast policia identifikoi tre të dyshuar, dy nga të cilët janë arrestuar ndërkaq i treti është ende në arrati.
“Pjesë e operacionit policor për arrestimin e të dyshuarve ishin edhe tri bastisje të kryera në tri lokacione të ndryshme të piketuara si vendndodhje e të dyshuarve. Ndërkohë që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze në drejtim të veprave penale “Vrasje në tentativë” si dhe” Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”, për dy të dyshuarit e arrestuar, të cilët me aktvendim mbi ndalimin e personit të dyshuar të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh, për t’u proceduar më tej”, thuhet në njoftim.