Gjykata Themelore e Gjakovës njofton se i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Gjon Gjokaj, i cili dyshohet për vrasjen e dy vëllezërve nga fshati Madanaj dhe mbajtje pa autorizim të armës.
Siç njofton Gjykata, sipas kërkesës, “me datën 25 qershor 2023 rreth orës 20:20 min në fshatin Madanaj të Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin H. I. dhe B. I., nga fshati Madanaj dhe këtë për shkak të një kontesti pronësor””, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ”Vrasja e rëndë” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Në komunikatë thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, në seancën dëgjimore të mbajtur në ambientet e spitalit ku i pandehuri gjendet për trajtim mjekësor, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda.
“I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 25 qershor 2023 dhe do të zgjasë deri më 25 korrik 2023”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.