Numër i madh i qytetarëve të Komunës së Vushtrrisë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar. Deri në orën 15:00 në këtë komunë kanë votuar 23 mijë e 539 votues apo 34.79 përqind dhe sipas zyrtarëve të KQZ-së, procesi është duke shkuar në rregull.
Kryesuesi i Këshillit Komunal Zgjedhor në Vushtrri, Betim Xhema, ndonëse nuk ka pranuar të flasë par kamerës tha se procesi është duke shkuar në rregull dhe nuk ka ndonjë parregullsi që është shënuar në këtë komunë.
Në qendrën më të madhe të votimit në Komunën e Vushtrrisë, shkollën “Mustafë Venhari”, që kanë të drejtë vote 11 mijë e 882 votues këtë pasdite është vërejtur numër i madh i qytetarëve të cilët prisnin për të votuat.
Mosrespektimi i distancës e qytetarë pa maska janë parë edhe në ambientet e kësaj shkolle.
Në këtë qendër nuk kanë dhënë detaje se sa është numri i votuesve që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar nën arsyetimin se një gjë të tillë ua ka ndaluar KQZ.
Qytetarët që kanë votuar në këtë qendër deklaruan se presim që nga këto zgjedhje të dalë një qeveri që do të punojë për krijimin e vendeve të reja të punës e zhvillim ekonomik.
Për herë të parë ka votuar sot vushtrriasja Fjolla Haliti, e cila tha se pret të ketë më shumë punësim.
“Si votuese për herë të parë mendoj që këto zgjedhje kush i fiton presim diçka më mirë si për ekonominë e pazhvilluar që është në Kosovë, po ashtu edhe për papunësinë. Kështu që, prej kandidatëve që kanë me ardhë dhe kanë me u zgjedh presim për me u zhvillu punësimi dhe me qenë ekonomia më e mirë, me u hap vende të reja të punës. Po ashtu, edhe menaxhimi i pandemisë me u bë më i mirë”, tha ajo për KosovaPress.
Qytetari Naim Hyseni, tha për KosovaPress se pret që të ketë ndryshim dhe që qeveria e re të jetë më përkrahëse për prodhuesit vendor.
“Shpresojmë që ka me pas një ndryshim, jo diçka që pritet për së tepërmi çka janë duke pritur njerëzit, po besoj që një ndryshim i madh ka me qenë, duke shpresuar edhe prej diasporës, prej banorëve të qytetit, unë kam besim që ka me qenë një ndryshim i madh[…]Unë besoj që është treni i fundit i shtetit tonë. Të jenë sa më afër prodhuesve vendor, t’i përkrahin, të bëhen ndryshime në arsim, të bëhen ndryshime në tërësi në qeveri, brenda në Parlament, mos të mendojnë vetëm për egot e veta personale”, tha ai.
Qeveri më stabile që të mos dalë çdo vit për të votuar pret qytetarja Sebahate Hasani, që gjithashtu pret që të hapen vende të reja të punës për të rinjtë e vendit.
“Presim diçka më mirë, tash inshalla po bëhet më mirë diçka për papunësi, për pensionuar. Inshalla qeveria edhe më nuk luhatet nuk bëjnë çdo vjet. Gjithçka më mirë presim”, tha ajo.
Në anën tjetër qytetari Mehdi Bala, tha se nga këto zgjedhje dëshiron që të ketë një qeveri që punon për zhvillim ekonomik dhe për integrim të vendit.
“Së pari dëshiroj që të jetë një ditë e suksesshme edhe partia që fiton zgjedhjet të punojë për popull, të punojë për prosperitet ekonomik, për zhvillim ekonomik të vendit, për integrim evropian, euroatlantik dhe për të gjitha këto”, tha ai.
Qytetari Islam Ukiqi, tha se pret të ketë më shumë punësim për të rinjtë e vendit që të njëjtit të mos lëshojnë Kosovën.
Presim ditë më të mira, presim ndryshime në të ardhmen për rininë, për punësim për popullatën, për rini më së shumti se krejt janë tu dalë jashtë rinia. Kështu që, dashtë Zoti me punu drejtë këta”, tha ai.
Punësim e pensione më të mira tha se pret qytetari Abaz Halili.
“Punësim, pensione, pensione 90 euro nuk ke çka bon po të tregon vet nuk ke çka me më pyet mua kur është llom krejt”, tha ai.
Në komunën e Vushtrrisë të drejtë vote kanë 67 mijë e 656 qytetarë. Në këtë komunë janë 32 qendra të votimit me 92 vendvotime.