Të drejtën e tyre për të votuar sot e kanë shfrytëzuar edhe banorët e Shtëpisë së të Moshuarve në Prishtinë. Ekipi mobil i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) po qëndron në këtë institucion që nga mëngjesi në mënyrë që t’iu jepet mundësia edhe këtyre banorëve që të votojnë.
Përkundër tentimeve të ekipit të KosovaPress-it, për të marrë pamje dhe deklarata të ndonjërit anëtarë të ekipit mobil, këta të fundit nuk pranuan të dalin para gazetarëve.
Në shtëpinë e të moshuarve ndodhej edhe ushtruesi i detyrës së shefit të Shërbimit Social, Bahtije Ismaili, e cila tha për KosovaPress, se procesi i votimit në këtë institucion po shkon sipas të gjitha rregullave antiCOVID. Ajo tha se aty do të votojnë 39 banorë, aq sa edhe ishin në listën e certifikuar.
“Situata ka qenë shumë e mirë, shumë e qetë. Të drejtë vote kanë pasur 39 persona, në përjashtim dy ose tre që s’kanë dashur me votu. Të tjerët kanë votu krejt. Gjendja ka qenë e mirë. Ekipet mobile janë ende në institucion dhe gjithçka po shkon me rregull”, tha ajo.
Ismaili thotë se pandemia e ka vështirësuar procesin e votimit, porse përkundër kësaj gjithçka po shkon sipas rregullave.
“Pandemia e ka vështirësu (procesin zgjedhor) por për momentin të gjithë janë negativ, gjendja është e qetë, është stabile. Për këtë arsye po e bëjmë maksimumin, vetëm të jenë ata mirë”, u shpreh ajo.
Në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë kanë të drejtë vote 39 persona, ku për t’iu dhënë mundësinë e ushtrimit të kësaj të drejte aty po qëndron ekipi mobil i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.