UBT News

​Votohet propozimi i shqyrtimit të projektbuxhetit, opozita kundër

Me 75 vota për, 35 vota kundër dhe një abstenim Kuvendi ka aprovuar propozimin për shqyrtimin e Projektligjit të buxhetit për vitin 2022 në seancë të jashtëzakonshme.

Kundër këtij vendimi janë shprehur partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, të cilët kanë kërkuar që buxheti të shqyrtohet siç është caktuar më herët me datën 22 dhjetor. Ndërkohë që për kanë votuar edhe deputetët e Listës Serbe.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se buxheti ka kaluar nëpër të gjitha fazat e diskutimit të parapara në komisionet relevante.

“Kemi prezantuar kërkesën të mbështetur nga 47 deputetë për mbajtje të seancës së sotme me një pikë të vetme të rendit të ditës, shqyrtimi në lexim të dytë të buxhetit të Republikës së Kosovës. Duke qenë të vetëdijshëm që edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të mbajtur me datë 15 dhjetor u trajtua që kjo pikë e rendit të ditës të plotësohet me mocionin procedural për votimin në datën 17 dhjetor, gjegjësisht në ditën e sotme. Duke marrë parasysh që agjenda legjislative e fundvitit është me një mori projektligjesh të cilat do t’i trajtojmë edhe javën e ardhshme, buxheti ka kaluar nëpër të gjitha fazat e diskutimit të parapara në komisionet relevante, ftojmë grupet parlamentare, deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mbështesin mocionin procedural në kuadër të pikës shqyrtimi në lexim të dytë i Projektbuxhetit për vitin 2022”, tha ajo.

Por kundër këtij ndryshimi të datës për shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2022 ishin partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se janë kundër që të ndryshohet data dhe që në lexim të dytë buxheti të vije me datën 22 dhjetor.

“Ne sot si GP i PDK-së do ta kundërshtojmë me votë këtë vendim dhe kërkojmë që pikërisht në lexim të dytë të vije në Kuvend atë ditë kur e keni përcaktuar ju me votë pa mbështetjen tonë si opozitë. Besoj që kjo duhet me qenë pak mësim për juve që në raste të tilla për çështje procedurale edhe me u konsideru me u marrë parasysh mendimi i opozitës nuk është keq. Ne në këtë rast do ta kundërshtojmë me votë ndryshimin e këtij mocioni procedural dhe kërkojmë që të vazhdojë ashtu siç keni vendosur vet me datën 22. Ndoshta ua prishim pushimet, ka pasur të planifikuara me shku më herët, po më e rëndësishme është buxheti sesa pushimi”, tha ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se do të kundërshtojnë me votë që buxheti të shqyrtohet sot në lexim të dytë.

“Vlerësojmë se mënyra e të menduarit të imponimit përballë deputetëve dhe Kuvendit të Republikës është i gabuar. Ju kam thënë në këtë Kuvend me datën 25 nëntor që është e paarsyeshme që një muaj përpara të vendosen afate strikte dhe data strikte se kur duhet të lexohet buxheti në lexim të dytë. Por vendosët me votat e juaja dhe vendosët për datën 22 nëntor, tash keni mbledhur nënshkrimet dhe kërkoni seancë të jashtëzakonshme që projektligji për ndarjen buxhetore për vitin 2022 të trajtohet në seancë të jashtëzakonshme sot. E para, nuk po kuptoj çka ka të jashtëzakonshme, sepse është projektligji për vitin 2022, pra ka buxhet, ka ligj, gjithçka është në rregull, pse duhet në mënyrë të jashtëzakonshme sot me trajtua kur deputetët nuk kanë pasur kohë me i diskutu dhe me i analizu 200 e sa amendamente që janë propozuar. Pra, është e paarsyeshme, e palogjikshme dhe është në kundërshtim me rregulloren e punës”, tha ai.

Kryeministri Albin Kurti ka ftuar deputetët që ta votojnë sot Projektbuxhetin 2022, ani se seanca për këtë projektligj ishte caktuar për 22 dhjetor.

“Natyrisht që nuk ka kurrfarë qëllimi tjetër seanca e sotme përveç asaj që dihet, pra leximi i dytë i buxhetit 2022 dhe meqenëse të gjitha procedurat kanë përfunduar dhe gjithçka ka shkuar në rregull dhe meqenëse është e mundshme, më 17 dhjetor, pa e pritur datën 22 dhjetor, kemi menduar që mos të zgjatemi edhe pesë ditë të tjera, kur mund të moszgjatemi. Nuk ekzistojnë qëllime të tjera pse po mbahet seanca më 17 dhjetor në vend se më 22. Pra nëse është e mundshme pse, jo. Tash kjo do të mund të ishte mbase e papërshtatshme nëse do të mungonit, por meqenëse kjo është e mundshme dhe meqenëse edhe ju keni ardhur dhe jeni të gjithë këtu, atëherë unë iu lus, iu ftoj që ta mbështetni këtë afrim të datës të votimit të Projektligjit për buxhetin e vitit 2022”, theksoi Kurti.

Exit mobile version