UBT News

​Vlerësohet mbështetja holandeze për fuqizimin e kapaciteteve profesionale të sistemit prokurorial

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku ka pritur në takim ambasadoren e Holandës në Prishtinë, Carin Lobbezoo, me të cilën ka diskutuar për tema që lidhen me fushëveprimtarinë e sistemit prokurorial të Kosovës.

Mbështetja e vazhdueshme holandeze për sistemin prokurorial, me theks të veçantë në fuqizimin e kapaciteteve profesionale për prokurorët dhe stafin administrativ, ishte temë e diskutimit në këtë takim.

Maloku tha se projekti holandez “Mbështetje për një sistem prokurorial të pavarur, profesional dhe të paanshëm në Kosovë”, është duke e bërë një punë të madhe në fuqizimin e kapaciteteve profesionale në sistemin prokurorial. Ai tha se trajnimet, shkëmbimi i ideve dhe përvojave me ekspertë holandezë po ndikojnë në ngritjen profesionale dhe menaxhuese të stafit të këtij sistemi.

Në anën tjetër, ambasadorja Lobbezoo, tha se përmes mbështetjes holandeze synohet që sistemi prokurorial i Kosovës të fuqizohet dhe t’i ngritë kapacitetet profesionale për realizimin e objektivave dhe misionit të vetë.

Të dy bashkëbiseduesit gjatë këtij takimi diskutuan dhe shkëmbyen ide për tema të tjera, të cilat ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në fund të takimit, kryesuesi Maloku ka falënderuar ambasadoren Lobbezoo dhe përmes saj edhe Mbretërinë e Holandës, për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë dhe po jep për sistemin prokurorial të Kosovës. 

Exit mobile version