Sokol Stanovci është vetëm njëri nga qytetarët që pësoi për shkak të mungesës së kapakëve të pusetave në kryeqytet. Ai derisa përballet me sëmundjen e tij, tregon se për pak sa nuk e theu këmbën. Të verbëritë thonë se nuk guxojnë të dalin pa përcjellës në rrugë, e qytetarët tjerë ndihen të rrezikuar. Për kapakët e pusetave, të cilët po vjedhen dhe po shiten për hekur e për pak para, në Komunën e Prishtinës shpresojnë se do të bëjnë zgjidhje nga mesi i muajit nëntor.
Vjedhjen por edhe blerjen e këtyre kapakëve, qytetarët po e konsiderojnë si vepër penale që duhet dënuar.
Sokol Statovci thotë se është i paralizuar dhe se ka rënë në një gropë që ishte pa kapakun mbyllës.
“Ju lutem këto gropa sepse po rrëzohemi po vritemi po “sakatohemi”, këto gropa i kanë fajet këto të komunës sepse nuk i urdhërojnë punëtorët me mbuluar këto gropa. Vetëm sa u rrëzova, i paralizuar jam le të kujdeset dikush…është e rrezikshme desh i theva këmbët atje. Kam kërkesa për kryetarin e komunës, le ta hap zemrën pak, le të punon pak, mos të sheh vetëm për vete. Ka ankesa boll, patjetër duhet të bëhet një fushatë me i rregulluar rrugët sepse rrugët na mbytën..Pusetata a nuk pa kush a? Të gjithë këta që po i shesin hekur, të gjitha ata po i marrin. Nuk është mirë me i hap pusetat me i bo gropat sepse jam njeri i sëmurë… ata që marrin kapakët e pusetave dënimin e meritueshëm e kanë”, përfundoi ai.
Drejtori për Investime Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi tha se ky problem është i kamotshëm, por sipas tij do të bëhet zgjidhja e kësaj çështje duke u bazuar në ndarjen rezionale të qytetit.
“Problem i pusetave është krijuar praktikë që disa vite, ato i marrin keqbërës të ndryshëm dhe mbesin kapakët e pusetave të hapura… Në shumë puseta kemi edhe kontraktor si KEDS-i, të cilin e njoftojmë për mungesën e kapakëve dhe intervenojmë. Kemi menduar zgjidhjen duke u bazuar në ndarjen rezionale të qytetit, këtë kontratë e kemi përcjell për tenderim. Qyteti është i ndarë në pesë zona dhe një zonë është jashtë qytetit, kanë me qenë pesë kontraktorë brenda qytetit, të cilat në kohë reale do t’i përcjellim sepse do të ketë monitorim të zonës, do t’i përcjellim edhe gropat edhe problemet e tjera përveç kapakëve dhe do të intervenojmë. Kemi pesë kontraktorë në pesë zona me depo të veçanta në kuadër të zonës dhe monitorim në kuadër të zonës. Me këtë projekt të cilën është në fazë të tenderimit dhe do të zgjidhim problemet në kohë reale. Si drejtori e kemi përcjell për tenderim, hapja është më 12 nëntor.. Prej ditës të parë që kam ardhur në drejtorin e investimeve, shqetësimin kryesor e kam pasur mungesën e kapakëve të pusetave sepse fëmijët tanë mund të rrezohen dhe pikërisht për këtë një ndër projektet që janë premtuar në fushatë ka qenë ndarja rezionale”, u shpreh ai.
Xhaferi duke thënë se nga mesi i nëntorit do të bëhet kontrata e ndarjes rezionale, thotë se kjo do ta mundësonte një monitorim më mirë.
“Pikërisht ky shqetësim na ka ardhur deri tek kontrata rezionale për zgjidhjen e kohë reale të këtyre problemeve. Lagja Arbëria, Emshir dhe Shkabaj, do të kenë një zonë me depo të veçantë në kuadër të zonës për monitorim të zonës. Vet kontraktori i zonës do ta ketë më të lehtë nëse vjedhjen pusetat në Emshir, atëherë lajmërimi për atë pjesë do të jetë edhe në polici, kjo ndarje razionale na krijon një monitorim më të mirë të gjendjes në terren për zgjidhjen e këtij problemi. Shqetësimi jonë ka ardhur deri në ndarjen rezionale dhe kjo ndarje do të qetësoj të gjitha këto probleme të cilat i kemi të përditshme edhe ne… Po sa njoftohemi që nuk ka pusetë lajmërojmë kontraktorin me vendos apo KEDS nëse është pusetë e KEDS-i. Në qershor e kemi miratuar si ligj në kuadër të buxhetit e kemi përcjell për tenderim, nga mesi i nëntorit do ta kemi kontratën e ndarjes rezionale..Në momentin që vjen në drejtorin tonë, ne jemi të gatshëm prej ditës të parë ta zbatojmë si kontratë”, tha ai.
Sipas Xhaferit, vjedhja e pusetave është vepër penale, duke treguar një rast ku posa i kanë vendosur kapakët, keqbërësit kanë vendosur disa gur që të shfrytëzojnë këto situata për vjedhjen e kapakëve.
Drejtoresha e Komitetit të Grave të Verbëra, Bajramshahe Jetullahu tha se rrugët janë të pakalueshme dhe të verbërit nuk kanë guxim të dalin vet.
“Si duket janë duke pritur me hasur një person i verbër të fundoset në një kanalizim dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë…Rrugët tona nuk janë të kalueshme për të verbëritë, gjithmonë duhet me qenë të varur edhe pse një person i verbër po të ishin rrugët si duhet do të mund prej shtëpisë deri në vendin e caktuar të shkoj me ndihmën e shkopit të bardhë. Mirëpo duke u bazuar në rrugët tona, një person i verbër nuk mund ta merr guximin të dal vetë pa shoqërues… Një shoqërues me paguar 125 euro në muaj, ai me qenë përherë me neve, kjo është një tmerr. Personi i verbër merr gjithsej 250 euro, 125 euro për shoqërues, e kush do të na shoqërojë neve”, tha ajo.
Qytetari Isë Hasangjeka tha se ky problem është i kamotshëm dhe po rrezikon të rinjtë e të moshuarit.
“Shqetësimi është i përhershëm sepse është rrezik si për të rinjtë dhe për të moshuarit. Kush po i heq, kush po i mirëmban dhe kush po i mbikëqyrë ato, aty është problemi sepse ata që heqin po i shesin dhe ai që i blen duhet të dënohet. Ka ndodhë që ka rënë fëmija në të…të gjitha përgjithësitë i ka komuna sepse kur vjen aty e kërkon votën dhe përgjegjësinë por nuk është vetëm komuna përgjegjës, përgjegjës është njeriu, njeriu duhet të vetëdijesohet që nuk mundet të bëhet gjithçka, duhet të mësohemi që janë projekte edhe pusetat janë projekt është rrezik për njerëzit, por komuna duhet të lidhet me ata të cilët i mirëmbajnë dhe kush i mbikëqyrë. ..Ajo është vepër penale po të vret në prapavijë”, tha ai.
Gjate vitit 2020, në kryeqytet ishte marrë një iniciativë për pastrimin e pusetave të ujërave të zeza, megjithatë që nga atëherë nuk ka pasur ende ndonjë veprim konkret nga institucionet relevante.