Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka pritur në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Në këtë takim u diskutua edhe për vaksinimin e punëtorëve të arsimit.
“Ministri Vitia ka njoftuar përfaqësuesit e SBASHK-ut lidhur me rrjedhën e procesit të vaksinimit duke theksuar se procesi po ecën sipas dinamikës së paraparë dhe se do të vazhdohet me përkushtim në mënyrë që edhe punëtorët e arsimit të vaksinohen me kohë dhe sipas dinamikës së paraparë”, thuhet në komunikatën e SBAShK-ut.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka falënderuar ministrin Vitia për përkushtimin në mënyrë që angazhimi i përbashkët që punëtorët e arsimit të jenë në prioritet të vaksinimit të realizohet dhe kështu viti i ri shkollor të na gjej me punëtorë arsimor të vaksinuar dhe të mbrojtur nga pandemia.
“Ky do të ishte moment i mirë dhe do të ndikonte shumë që viti i ri shkollor të ketë nismë të mbarë dhe mësimi të zhvillohet në institucione arsimore. Jasharaj iu drejtua Ministrit Vitia edhe me kërkesën e mijëra punëtorëve të arsimit që të kjo Ministri të punojë me përkushtim lidhur me funksionalizimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore ngase ky Ligj është tepër i nevojshëm për punëtorët arsimor, por edhe për të gjithë të punësuarit në Kosovë”, thuhet më tej në komunikatë.
Vitia thuhet të jetë deklaruar se Ministria që ai drejton është e përkushtuar në angazhimet lidhur me këtë Ligj, por proceduarat dhe infrastruktura gjegjëse ligjore dhe aktet nënligjore e proceduarat tjera që ndërlidhën me këtë Ligj natyrshëm kërkojnë kohë dhe hapësirë , por nuk mungojnë angazhimi dhe përkushtimi që ky Ligj të funksionalizohet kur të realizohen gjithë aktivitetet dhe proceduarat gjegjëse.