Viti 2023 ka nisur me rekorde të reja, për sa i përket numrit të vizitorëve të huaj që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri njofton se numri i vizitorëve të huaj në shkurt 2023 është rritur me 54 për qind krahasuar me shkurtin e kaluar, ndërsa për dy muajt e parë të këtij viti, mbi 686 mijë vizitorë të huaj kanë frekuentuar Shqipërinë, ose 74 për qind më shumë se e njëjta periudhë në vitin 2022.
Shifrat i bëri publike ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Në shkurt të 2022 vendi ynë u vizitua nga 200,997 turistë të huaj, në shkurt të 2023 nga 309,325, pra 54% më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa në janar- shkurt të 2022 u vizitua nga 395,234 dhe në janar-shkurt 2023 686,536 turistë të huaj, 74% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, njoftoi ministrja Kumbaro.
Bukuritë natyrore, vlerat arkeologjike e kulturore, investimet në infrastrukturë, turizëm dhe promovimi që i është bërë Shqipërisë në mediat ndërkombëtare, kanë përmbushur të gjitha pritshmëritë e sektorit për sa i përket shifrave. Viti 2022 ishte më i suksesshmi përsa i përket numrit të vizitorëve të huaj, me 7,5 milionë.