UBT News

​Vihet gurthemeli i objektit shtesë të shkollës “Vëllezërit Frashëri” në Lipjan

Në Lipjan u vu gurthemeli i objektit shtesë të shkollës “Vëllezërit Frashëri” , ndërtimi i secilës pritet të përfundojë në shtatorin e këtij viti.

Nisja e ndërtimit të këtij objekti shkollor është mirëpritur nga nxënësit e mësimdhënësit pasi që aktualisht në këtë shkollë në një klasë mësojnë 40-42 nxënës.

Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka treguar se ndërtimi i shkollës bëhet me financim të komunës.

Ahmeti shton se ky objekt krijon mundësi të reja pasi shkolla e tanishme është e ngarkuar me numër të madh të nxënësve.

“Kemi filluar një objekt shtesë të shkollës fillore ‘Vëllezërit Frashëri’ pritjet janë që për 150 ditë pune, ne synojmë që më 1 shtator ta përfundojmë këtë objekt shkollor me qëllim të krimin të mundësive të reja sepse kjo shkollë është e ngarkuar me numër të madh të nxënësve, kështu që do të shtojmë intensitetin që më 1 shtator të përurohet kjo pjesë e objektit. Ekskluzivisht është financim i komunës, me mjete vetanake e kemi pas tepër të nevojshme këtë projekt dhe besoj që do ta finalizojmë me kohë”, tregoi Ahmeti.

Ahmeti pas vënies së gurthemelit ka treguar edhe se thuajse të gjitha shkollat janë rinovuar.

“Janë rinovuar gati të gjitha shkollat, kemi edhe pak punë të paraleleve të shkollave në disa lokalitete. Por vitin e kaluar janë rinovuar thuajse të gjitha, është investuar edhe në nxehje qendrore në shumicën e shkollave kështu që këtë viti kemi edhe 3-4 projekte të reja në renovim”, tha ai.

Drejtori i shkollës “Vëllezërit Frashëri”, Jakup Bahtiri tha ky objekt do të ndikojë drejtpërdrejtë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

“Fillimi i këtij aneksi është mirëpritur edhe nga nxënësit, prindërit, mësimdhënësit ku do të ndikoj drejtpërdrejt edhe në mësimdhënie dhe mësimnxënie prandaj do të ndikojë edhe në reduktimin e nxënësve në paralele ku deri më tani kemi pasur 40-42 nxënës, prandaj kjo do të ndikojë pozitivisht në zvogëlimin e numrit”, tha ai.

Exit mobile version