Në nderim të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të masakrës së Krushës së Vogël është vënë sot gurthemeli i ndërtimit të memorialit përkujtimor në këtë fshat.
Afër përvjetorit të 22-të të kësaj masakre u kërkua drejtësi dhe gjetjen e 68 trupave të zhdukur nga ky gjenocid serb. Pjesë e vënies së këtij gurthemeli ishte edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha se institucionet e Kosovës duhet të dënojnë dhe gjykojnë në mungesë gjithë kriminelët e luftës.
Përfaqësuesi i fshatit Krushë e Vogël, Getoar Shehu mes emocionesh tha se ata nuk po arrijnë asnjëherë të gjejnë ngushëllim për atë që iu ka ndodhur 22 vite më parë dhe se shpirtërisht janë të vrarë.
“E di prej zemre që nuk mundem me i ngushëllu kurrë, nuk mundem asnjëherë me iu thënë ngushëllime sepse nuk ka asgjë që mundet me iu ngushëllu. A thua shpirti jem ka me ardhur sot ka me jetu një ditë të jetës sime dhe me thënë unë Getoari po jetoj me shpirt, po jetoj fizikisht dhe shpirtinisht. Na qohemi çdo ditë pa qatë shpirt, të cilin na kanë vra, na kanë pre na kanë gju, e nuk e dina ku e kemi atë shpirt. Asgjë më shumë, asnjëherë më shumë nuk kemi lypë se sa ata shpirta që nuk i kemi, me na i kthy dhe me ditë ku i kemi të varrosur. Ditën e dasmës, ditën unë kur kam me u bërë dhëndër, gjysh me shku djalit tim, nuses me i thënë se ky është baba im, ky është shpirti jem, e unë jetojë pa shpirt, me jetu pa shpirt si robota, si njerëz që nuk e dinë udhën e tyre”, tha ai.
Fjala e Getoarit, sipas kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti tregon të vërtetën e Kosovës dje për traumat, vuajtjet dhe pikëllimin, ndërsa do të vazhdojë edhe nesër nëse vendi nuk sjell drejtësi për krimet serbe.
“Fjala e Getoarit tregon të vërtetën e Kosovës sot, për të vërtetën e Kosovës dje dhe për traumat vuajtjet, dhimbjet, pikëllimin që do të vazhdojë edhe nesër nëse nuk sjellin drejtësi për të gjitha krimet e Serbisë që i ka bërë në Kosovë. Getoari ka qenë pesë vjeç kur ka ndodhur masakra e madhe në Krushë të Vogël që është dëshmi e gjenocidit serb më Kosovë dhe ju e patë sa thellë është e tronditur qenia e tij, jo vetëm për prindin që se ka, por për të gjitha ata burra tjerë e fëmijë tjerë që u ndanë nga bashkëshortet e nga nënat e tyre, u ekzekutuan mizorisht e iu dogjën kufomat. Institucionet e shtetit duhet të veprojnë sepse kanë mundësi që të hetojnë dhe hulumtojnë që të gjykojnë dhe dënojnë edhe në mungesë kriminelët e luftës, e natyrisht ata duhen kapur, por nuk mund t’i kapim, e pastaj të veprojmë. Duhet të veprojmë që t’i kapim”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se ky gurthemel kujton sakrificën e Krushës së Vogël.
“Këtë gurëthemel nuk jemi duke e vënë për inate politike, por jemi duke e vënë për të kujtuar sakrificën e Krushës së Vogël, sakrificën e familjarëve që ende janë duke pritur trupat e familjarëve të tyre. Shpresoj që ky memorial të jetë një përkujtim për të gjithë botën se çka ka ndodhur këtu në mënyrë që kjo mos të përsëritet askund në botë”, tha ai.
Në mars të vitit 1999 forcat serbe masakruan rreth 113 banorë të Krushës së Vogël, derisa trupat e 68 prej tyre ende janë gjetur.
Ndërkohë, përkundër insistimit të KosovaPress, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje nuk komentoi zhvillimet sa i përket mundësisë së certifikimit ose jo të tij si kandidat për deputet.