Një këmbësor ka ndërruar jetë të premten rreth orës 14:30 në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi është goditur nga një veturë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, këmbësori ka ndërruar jetë pasi kishte pësuar lëndime të rënda trupore.
“Sot rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se në lagjen Veternik, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një automjet në lëvizje. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka thënë Ahmeti.
Ajo po ashtu tregoi se vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërsa ngasësi i veturës është shoqëruar në stacion policor.
“Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësi i automjetit është shoqëruar në stacion policor”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti.