Partia në pushtet ka vendosur të mos marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e ftuar nga opozita, ku është paraparë të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës. Kjo është bërë e ditur nga shefja e deputetëve të mazhorancës, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media, në kohën kur parashihej të fillonte seanca.
Kusari-Lila ka kritikuar partitë opozitare për mosvotim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sipas saj kërkesat e tyre kanë synim dëmtimin e interesit të shtetit.
“Arsyeja e ftesës për këtë konferencë është që para opinionit publik të shpalosim qëndrimin e Grupit Parlamentar të LVV-së për mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme të ftuar sot nga opozita e drejtuar në ftesën e sotme nga Grupi Parlamentar i PDK. Që nga java e kaluar Grupi Parlamentar i PDK-së ka tentuar që të ndryshojë rendin e ditës në seancë për të futur një pikë të cilën nuk e kanë pasur ende të dorëzuar me shkrim, që ka të bëjë me një rezolutë për kushtet dhe disa prej legjislacionit që ata konsiderojnë tash të nevojshëm për të kaluar për Policinë e Kosovës. Përderisa ky material tashmë është dorëzuar, ne e vlerësojmë se tendenca apo qëllimi i PDK-së dhe AAK-së që nuk votojnë asgjë në Kuvendin e Kosovës, nuk votojnë marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje me rëndësi jetike për qytetarët, nuk ka të bëjë me gjendjen apo statusin e PK-së, por ka të bëjë vetëm me arsyetimin dhe argumentimin e tyre se kinse Qeveria nuk është e angazhuar sa duhet dhe synimi i tyre i vetëm është pushteti dhe jo interesi i shtetit. Ne sot po qëndrojmë në mbi 400 milionë euro marrëveshje ndërkombëtare të pa votuara, disa prej të cilave janë edhe për mbështetje të drejtpërdrejt të buxhetit të Kosovës, të cilët do të përfitonin të gjitha kategoritë shoqërore, përfshirë edhe Policinë e Kosovës. Përderisa ata refuzojnë të votojnë, kanë kërkesat të cilat synimin e vetëm e kanë dëmtimin e interesit të shtetit, vetëm për çmimin e tyre të ardhjes në pushtet”, ka thënë Kusari-Lila.