Janë mbi gjashtë milionë njerëz në Evropë të cilët vuajnë nga sëmundje e epilepsisë. Kjo sëmundje mund të atakojë të gjitha moshat, por në veçanti fëmijët.
Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, në Klinikën e Neurologjisë janë hospitalizuar 73 pacientë, por vetëm një person ka qenë i infektuar me COVID-19. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe në ambulancat specialistike, mbi 300 persona kanë shfaqur simptomat e kësaj sëmundje, ku prej tyre 15 fëmijë.
Kështu u tha në Ditën Ndërkombëtare të Epilepsisë, e cila u tha se kjo ditë po shënohet për herë të tetë në Kosovë.
Kryetarja e Shoqatës kundër Epilepsisë e Kosovës, Valbona Govori-Berisha theksoi se kjo ditë se ka për qëllim sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes.
“Sipas evidencës dhe frekuencës që kemi marrë në protokollet tona nëpër klinikë, gjatë kohës së pandemisë, sepse tani kemi një situatë specifike meqë ka rënie të dukshme të personave me epilepsi që janë të shtrirë, diku 73 pacientë kanë qenë të hospitalizuar, 202 kanë qenë pacientë me COVID. Dhe këtu kemi nxjerrë që vetëm një person me epilepsi ka qenë me COVID. Ndërsa, në ambulancat specialistike diku i kemi 312 persona me epilepsi të cilët kanë frekuentuar në klinikë, prej tyre 15 fëmijë”, ka thënë ajo.
Kryetarja e shoqatës, Govori-Berisha theksoi se çdo vit, në të hënën e dytë të muajit shkurtit, shënohet kjo ditë ndërkombëtare, duke shtuar se janë rreth gjashtë milionë njerëz të cilët vuajnë nga kjo sëmundje në Evropë.
“Diku 6 milionë njerëz vuajnë nga kjo sëmundje në Evropë. Është një sëmundje që nuk dallon moshën dhe gjininë apo regjionin, apo edhe racën. Mund të lajmërohet te çdo kush. Nuk kemi një signifikancë të lartë sa i përket gjinisë, meshkujt vuajnë më tepër nga kjo sëmundje. Mund të themi se mund të lajmërohet te çdo moshë, por më e zakonshme është te moshat fëmijërore”, ka theksuar ajo.
Mes tjerash, ajo bërë të ditur se njëjtit mund të vuajnë nga ankthi dhe depresioni. E te dy këto manifestime janë shfaqur më shumë gjatë kohës së pandemisë.
Drejtori i Klinikës Neurologjike, Nexhmedin Shala shtoi se pandemia i ka kufizuar në trajtimin e shumë rasteve, megjithatë, ai theksoi se kjo klinikë ka qenë e hapur tërë kohën.
“Diku 73 kanë qenë të hospitalizuar dhe kemi pasur diku përafërsisht 300-400 ekzaminime jashtë-spitalore. Klinika e Neurologjisë përkundër vitit të vështirë ka treguar një lloj avancimi, sepse ne kemi bërë diçka që mund të mburremi sepse kemi për herë të parë protokollin e sëmundjes të spektrit të epilepsisë”, ka theksuar ai.
Epilepsia është një sëmundje me së paku dy sulme epileptike që shkaktohen pa asnjë arsye. Krizat e kësaj sëmundje mund të shkaktojnë probleme në kontrollin e muskujve, në lëvizjen, të folurit, pamjen ose vetëdijen, kriza këto të cilat zakonisht nuk zgjatin shumë, por mund të jenë të frikshme.