Reshjet e shiut dhe borës gjatë tërë natës kanë bërë që sot sërish të ketë vërshime në disa zona të komunës së Podujevës.
Për të parë nga afër gjendjen e krijuar, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim (DSHPMSH), Fevzi Jetullahu, dhe drejtorin e Inspeksionit, Ajet Potera kanë vizituar pjesën e qytetit te Lagja “Shala” dhe “Tovërlanët”, ku si pasojë e ngushtimit të shtratit të përroskës dhe daljes së saj nën rrugën magjistrale, uji ka vërshuar.
Sipas komunikatës së lëshuar nga komuna e Podujevës, në këtë zonë që nga mëngjesi ekipi emergjent i komunës dhe kompania e angazhuar ka intervenuar në hapjen shtratit të përroskës.
Gjithashtu kryetari Bulliqi ka vizituar edhe Lagjen “Kërtokët”, ku përroska që kalon andej ka dalë nga shtrati.
Gjatë vizitës në teren kryetari Bulliqi tha se komuna e Podujevës, ashtu si edhe para dy javësh, ka angazhuar të gjitha kapacitetet për t’u dalë në ndihmë banorëve në zonat që preken nga vërshimet.
Shtabin Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilin e udhëheq nënkryetarja, Marigona Lahu, do të jetë vazhdimisht i mobilizuar me qëllim të koordinimit ndërinstitucional dhe veprimeve të përbashkëta, konform situatës së krijuar.
Problemet që mund t’i kenë si pasojë e vërshimeve qytetarët mund t’i adresojnë përmes platformës së komunikimit “Alo Komuna” në 0800 19 110.