Ministri i Jashtëm dhe ai i Forcave të Armatosura të Francës do të shprehin shqetësimet e Qeverisë franceze për aktivitetet e Kremlinit në Afrikën Perëndimore kur do të takohen me homologët e tyre rusë në Paris, transmeton Reuters.
Marrëdhëniet janë tensionuar për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme rreth Ukrainës, dhe së fundmi për rolin e mercenarëve rusë “Wagner” në Afrikën Perëndimore, ku Franca ka mijëra trupa që luftojnë militantët islamikë.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian ka thënë se mercenarët po punojnë me urdhër të Moskës.
“Në takim do të diskutohen dimensionet politike dhe ushtarake të krizave rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me situatën në Ukrainë dhe brezin Sahel-Saharian, në të cilin Franca do të shprehë shqetësimet e saj për veprimet e Rusisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrive përkatëse të Francës.
Burime diplomatike dhe të sigurisë i kanë thënë Reuters se junta ushtarake njëvjeçare e shtetit afrikan – Malit është afër rekrutimit të mercenarëve rusë të grupit “Wagner”. Franca ka ngritur një përpjekje diplomatike për ta penguar atë, duke thënë se një marrëveshje e tillë është e papajtueshme me një prani të vazhdueshme franceze në ish-koloninë e saj.
Franca shtyri një vizitë të ministrave të saj të jashtëm dhe të forcave të armatosura në Moskë në shtator 2020, derisa fuqitë evropiane kërkuan përgjigje nga Rusia për gjetjet e Gjermanisë se kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny ishte helmuar nga regjimi rus.