Vendoset gurthemeli për memorialin e masakrës së Prapashticës në përkujtim të mbi 1 mijë e 570 martirëve të rënë në masakrën e vitit 1921.
Në këtë përvjetor u tha se 100 vjet më parë në mënyrë më mizore nga okupatori serb u vranë gra, burra, fëmijë dhe pleq shqiptarë vetëm e vetëm që të zhbëhet populli shqiptar.
Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, deklaroi se ky lapidar do të ngritet në shenjë përkujtimi për martirët e kësaj ane me rastin e 100-vjetorit të masakrimit të tyre, dhe do të shërbejë si memorie dhe ndërgjegje kolektive.
“Në cilësinë e nënkryetarit të Prishtinës, motiv e kisha dhe përkushtim ngritjen e mirëqenies sociale dhe infrastrukturës të kësaj ane, të pjesës më të bukur të kryeqendrës, ndër të tjera edhe shënimin dhe përkujtimin e çdo ngjarje të ndodhur të historisë së kësaj ane. Një nga to është edhe masakra e Prapashticës, Keçekollës, e Sharbanit dhe disa fshatrave përreth ku si pasojë e të dhënave të mbledhura në terren supozohet se mbi 1 mijë e 570 persona u vranë dhe u prenë me bajoneta, duke mos u kursyer as foshnjat në djep, dhe as pleqtë mbi 90 vjeçarë. Kjo qendër memoriale do të ngritet në shenjë përkujtimi për martirët e kësaj ane me rastin e 100-vjetorit të masakrimit të tyre, dhe të shërbejë si memorie dhe ndërgjegje kolektive”, tha Selimi.
Veterani i arsimit, Ajvaz Abazi më ketë rast theksoi se 100 vjet më parë forcat serbe filluan një ndër masakrat më të rënda ndaj popullatës autoktone shqiptare në Prapashticë dhe në fshatrat përreth. Ai tha se përgjatë atyre tri ditëve vetëm në Prapashticë u vranë dhe u masakruan 1 mijë e 20 shqiptarë të moshave dhe gjinive të ndryshme, ndërsa në Keçekollë 514.
“100 vjet më parë forcat serbe filluan një ndër masakrat më të rënda ndaj popullatës autoktone shqiptare të këtyre anëve, dhe për tre ditë rresht i vranë, i masakruan, dogjën banorët e këtyre fshatrave, me të vetmin qëllim zhbërjen e popullsisë shqiptare dhe popullimin e kësaj treve me elementin sllav. Për gjatë atyre ditëve, vetëm në Prapashticë u vranë dhe u masakruan 1 mijë e 20 shqiptarë të moshave dhe gjinive të ndryshme, kurse në Keçekollë 514”, tha Ajvazi.
Ndërsa, anëtarja e këshillit njëherësh asambleistja e Prishtinës, Netja Bejtja tha se në 100-vjetorin e masakrës së 10, 11, 12 dhe 13 janar 1921 në Prapashticë, Keqekollë, Ballabanë, Nishec, Popovë, Majac, Bellopoj dhe Tërrnavë si dhe në fshatin Sharban, memoriali do të jetë si vend i shenjtë për shqiptarët.
“Ky (memorial) duhet të jetë një vend i shenjtë për ne, duhet të jetë një memorial i gjithëkohshëm që tregon mizorinë e njeriut mbi njeriun”, tha ajo.
Në këtë masakër ishin shuar afërsisht 50 familje, që supozohet që 30 nga to janë tërësisht të shuara dhe nuk ka arritur asnjë person të mbijetojë.