UBT News

​Vendimi i Gjykatës Supreme, Vetëvendosje pret certifikimin e të gjithë kandidatëve

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për moscertifikimin e listës zgjedhore, pasi pesë kandidatë kanë probleme me ligjin. Vetëvendosje beson se Gjykata Supreme do të vendosë për certifikimin e të gjithë kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në të kundërtën do të drejtohen në Gjykatë Kushtetuese duke kërkuar që një vendim i tillë të pezullohet.

Pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos certifikojë listat zgjedhore të cilat bartin kandidatë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka konstatuar se nuk mund të kandidojnë për shkak se kanë probleme me ligjin, Vetëvendosje u drejtua për ankesë në PZAP, por edhe ky institucion dha përgjigje të njëjtë.

Kështu ata shfrytëzuan të drejtën për ankesë në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se e gjithë lista duhet të certifikohet, ku pjesë e pesëshes është edhe lideri Albin Kurti.

Përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu tha se veprat penale për të cilat janë përgjegjës pesë kandidatët e tyre, nuk kanë pasoja juridike.

“Kodi penal, mbi të cilin janë shqiptuar dënime alternative kandidatëve tanë për deputetë, nuk prodhon asnjë pasojë juridike dhe mbi bazën e kësaj konsiderojmë se deputetët tanë do të certifikohen nga Gjykata Supreme duke ditur edhe profesionalizmin që ekziston brenda kësaj gjykate. Nëse ndodh e kundërta, tani jemi në dy rrafshe, në rrafshin politik ku organet e Lëvizjes Vetëvendosje do të vendosin tutje çka do të bëjmë dhe patjetër që do të drejtohemi edhe në Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar masë të përkohshme për pezullimin e një vendimi të tillë”, tha ai.

Por sipas tij, Supremja nuk do të marrë vendim për mos certifikimin e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje sepse të njëjtit kanë kryer vepra penale të cilat nuk kanë pasoja juridike. Ai tha se kjo çështje është ligjore dhe jo kushtetuese dhe Gjykata Supreme duhet të sqarojë raportin në mes të kodit penal, nenit 100 dhe nenit 29 paragrafi 1, pika ç.

Përveç Vetëvendosjes, ankesë në Gjykatën Supreme ka dorëzuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Exit mobile version