Një 46-vjeçar ka ndërruar jetë sonte rreth orës 19:50 në Qendrën Klinike dhe Universitare në Prishtinë, ku ishte dërguar për trajtim mjekësor pas plagëve të marra nga armë zjarri.
Lajmi është konfirmuar nga Nystret Xhurkaj, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjakovës, sipas të cilit sot pas orës 13:00, Stacioni Policor Gjakovë ka pranuar një informatë për një person, i cili është vërejtur nga dëshmitarët me plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit në vendin e quajtur Shkugezë.
“Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka konfirmuar rastin. 46-vjeçari është gjetur sipas ekipeve mjekësore me shenja jete dhe është dërguar në emergjencë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përgjegjëse, ndërsa viktima është dërguar në QKUK në gjendje të rëndë. Nuk dihen shkaqet e këtij incidenti, por rasti është nën hetime”, ka thënë ai.
Gjatë ekzaminimit vendit ngjarjes, janë gjetur një gëzhojë në afërsi dhe një armë zjarri, po ashtu dhe automjeti i 46-vjeçarit, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Provat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kujdestar.