UBT News

​Vdekja e prokurorit Krasniqi vlerësohet humbje e madhe për Prokurorinë Speciale

Sistemi Prokurorial në Kosovë ka mbajtur mbledhje komemorative me rastin e vdekjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale, Enver Krasniqi. Nga të pranishmit, Krasniqi u vlerësua si prokuror i ndershëm që punoi me integritet dhe profesionalizëm.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se vdekja e papritur e prokurorit Krasniqi është humbje e madhe për tërë sistemin e drejtësisë.

“Vdekja dhe largimi i tij nga kjo botë është humbje e madhe jo vetëm për familjen tuaj, por për tërë sistemin prokurorial dhe sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Me këtë rast më lejoni që në emër tim dhe gjithë stafit të Prokurorisë Speciale t’iu shpreh ngushëllime më të sinqerta për humbjen e prokurorit Enver Krasniqi. Ai ishte dhe mbetet shëmbëlltyrë i njeriut të ndershëm, i cili me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë i shërbeu institucionit ku punoi, drejtësisë dhe vendit të tij”, tha ai.

Përmes një telegram ngushëllimi, kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se me vdekjen e prokurorit Krasniqi sistemi i drejtësisë humbi një profesionist të madh.

“Sistemi i drejtësisë e humbi një profesionist të madh. Vdekja dhe largimi i tij në këtë botë nuk është humbje e madhe vetëm për ju si familje. Por edhe për sistemin prokurorial. Për të cilin prokurori Krasniqi shërbeu me dinjitet dhe përkushtim dhe integritet të lartë”, tha ai.

Ndërsa e bija e prokurorit të ndjerë, Erina Krasniqi u shpreh falënderues ndaj të pranishmëve.

“Mblodha forcën që kisha të flas për një person aq të madh, figurën më të dashur timen. Figurën e një djali shembullor, një vëllai besnik dhe zemër mirë, një bashkëshorti të shkëlqyeshëm dhe një babe madhështor. Kemi pas shumë plane dhe ëndrra së bashku. Ndihemi krenar, krenar që jemi rritë prej dy prindërve më të mirë në botë. Ju falënderoj prapë për ngushëllimet e juaja, unë e di çka ka dashur babi prej neve dhe deri në frymën e fundit do të mundohemi me bë krenar”, u shpreh ajo.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Enver Krasniqi ndërroi jetë mbrëmë si pasojë e një arresti kardiak.

Exit mobile version