UBT News

​Vazhdon sekuestrimi i objekteve të ndërtuara në zonën e Brezovicës

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë edhe sot janë duke vazhduar aksionin lidhur me sekuestrimin e objekteve të ndërtimit në Brezovicë – Zona e II-të e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Raportet e pranuara lidhur me këtë rast nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, vërtetojnë se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth 100 objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.

Ndryshe, gjatë së martës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar dhjetërsa objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë.

Exit mobile version