Qeveria e Kosovës ka miratuar pagesën për shtesën neto prej 10 për qind të pagës, por jo më pak se 60 euro për punonjësit shëndetësorë të sektorit publik për muajt nëntor dhe dhjetor 2021, ndërsa janë ndarë edhe 2.5 milionë euro për blerje të barnave esenciale.
Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku tha se vazhdimi i shtesave për profesionistët shëndetësorë po bëhet në kuadër të zbatimit të masës 4.1 të ringjalljes ekonomike.
“Propozim-vendimi ka për qëllim ndarjen e mjeteve në vlerë 1 milionë e 810 mijë euro në zbatim të masës 4.1 – mbështetja e shëndetësisë bazuar në vendimin e Qeverisë të datës 14 korrik 2021 lidhur me pakon e ringjalljes ekonomike. Pra, pagesën shtesë neto prej 10 % të pagës bazë, por jo më pak se 60 euro për punonjësit shëndetësorë të sektorit publik, profesionistët shëndetësorë dhe stafin mbështetës për nëntor e dhjetor 2021”, tha Gexha-Bunjaku.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se po ndajnë 2.5 milionë euro shtesë për blerjen e barnave nga lista esenciale.
“Ndarje shtesë të mjeteve buxhetore për blerjen e barnave esenciale në kuadër të SHSKUK-së për organizata buxhetore. Kërkesa e tyre është për 2.5 milionë euro shtesë. Ne në vazhdimësi kemi ndarë mjete shtesë për blerjen e barnave esenciale. Në rishikim kemi ndarë 8 milionë euro. Në mbledhjen e kaluar kemi ndarë edhe 3.7 milionë euro shtesë. Ishin dhe 1.5 milion euro të tjera për furnizimin me oksigjen qendror. Në total, ishin rreth 5.2 milionë euro ndarje shtesë, kryesisht nga kursimet nga zyrat e kryeministrit”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe propozim vendimi për aprovimin e metodës së pagesës direkte në formë të paradhënies tek UNPOS në emër dhe llogari të Ministrisë së Shëndetësisë nga ndarjet buxhetore aktuale, si dhe regjistrimit kontabël në Sistemin Informativ të Menaxhimit të Financave të Kosovës (SIMFK) në kodin përkatës për pagesa direkte të huamarrjes që nuk mbyllet deri në fund të vitit dhe kap vlerën 5 milionë e 433 mijë euro.