Rasim Demiri nga koalicioni VAKAT i komunitetit boshnjak ka thënë se do të jenë pro konstituimit të institucioneve. Ai deklaroi që ditëve në vijim do të dalin me qëndrimin për votimin e qeverisë Kurti dhe Vjosa Osmanit si presidente.
Pas takimit konsultues me Kurtin e Osmanin, Demiri tha se kanë pasur disa kërkesa për Kurtin, por të cilat nuk janë kushte dhe shpejtë do të dalin me qëndrim.
“VAKAT gjithmonë ka qenë pro formimit të institucioneve. 20 vite ne kemi mbështetur dhe punuar për këto institucione dhe kemi nënshkruar deklaratën për pavarësi. Besoj që edhe tash do të bëjmë njëjtë. Pa marrë parasysh se nuk kemi biseduar diçka për pozita, më shumë fokusi jonë ka qenë për komunitetin boshnjak. Ne kemi disa kërkesa që ndërlidhen me komunitetin tonë. Nuk janë kusht, nuk kemi folur konkretisht për vota, por për programin pasi ne kemi pasur programin dhe vet kryeministri është shfaqur i interesuar. Për hapat e tjera dhe votimin, pasi ne javën e ardhshme po presim tre votime të formimit të Kuvendit, qeverisë dhe presidentit. Një herë të marrim brenda koalicionit, pastaj do të dalim me njoftim”, tha ai.
Lidhur me varësinë e koalicionit VAKAT me Listën Serbe, Demiri tha se nuk ajo nuk varet nga askush, pos 5 mijë e 300 votave boshnjake.
“Nuk e di pse po na lidhni prej kujt varet prej VAKAT, varet prej 5 mijë e 300 votave që janë boshnjake dhe legjitime”, tha ai.
Ndryshe Osmani dhe Kurti edhe gjatë ditëve në vijim do të zhvillojnë takime me partitë politike për t’u konsultuar rreth konsolidimit të institucioneve.