Oleksandr Usyk ka zbuluar se shtëpia e tij është qëlluar nga bombardimet e sulmeve ruse dhe fqinjët e tij janë tërhequr zvarrë teksa mbronin Ukrainën nga pushtimi i Rusisë.
Kampioni i peshave të rënda ishte në Londër më 24 shkurt kur trupat ruse hynë në territorin ukrainas dhe u përball me një rrugë shumë të vështirë në rikthimin e tij tek familja ne Kiev.
Usyk përfundimisht u kthye në atdheun e tij dhe u regjistrua në një batalion të mbrojtjes territoriale, duke pozuar me armë teksa konfirmoi lajmin për bashkimin me ushtrinë ukrainase.
35-vjeçari po stërvitej për një revansh të mundshëm me britanikun Anthony Joshua, pasi kishte rrëzuar nga froni kampionin e unifikuar të peshave të rënda në shtator të vitit 2021.
Në një intervistë të fundit, Usyk tregoi se sa keq janë gjërat në Ukrainë.
“Unë e di që ata qëlluan në shtëpinë tonë”, tha Usyk për “profiboxing.cz”. “Ata thyen dyert dhe tërhoqën zvarrë disa nga fqinjët tanë. Por unë nuk e di se si është atje tani. Ne nuk mund të kontaktojmë me askënd. Është e tmerrshme kur të tutë vrapojnë të fshihen në bodrum në çdo shushurimë granatimesh”, vazhdoi ai.
“Më duhej të anuloja një fluturim direkt për në Kiev, po kthehesha përmes Polonisë, mu desh një ditë për të arritur në Kiev, dy të tjera para se të shihja familjen time dhe të qetësohesha pak”, rrëfen Usyk.