Mijëra fëmijë në Ukrainë kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike duke pasur parasysh përvojat traumatike të luftës, tha UNICEF.
”Sipas vlerësimeve të agjencisë së OKB-së për fëmijë, 4 mijë deri në 6 mijë profesionistë të psikologjisë së fëmijëve janë ende në vend dhe duhet bërë gjithçka për të siguruar pagat e tyre dhe për t’i mbështetur ata në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë punën”, u tha gazetarëve eksperti i UNICEF-it, Aaron Greenberg.
”Rreth 91 mijë fëmijë dhe të rinj që tashmë po kujdeseshin në strehimore para pushtimit rus më 24 shkurt, kanë nevojë për vëmendje të veçantë”, shtoi ai.
Shumë prej këtyre fëmijëve ndodhen në jetimore, ndërsa rreth 35 mijë u kthyen në familjet e tyre pas fillimit të sulmit, por ende kanë nevojë për mbështetje.
Sipas Greenberg, 56 ekipe po udhëtojnë në të gjithë vendin duke ofruar kujdes për fëmijët dhe familjet e tyre që kanë përjetuar trauma, përfshirë dhunën seksuale.
”Që nga fillimi i luftës, UNICEF-i ka ndihmuar në organizimin e ndihmës psiko-sociale për 145 mijë fëmijë dhe adoleshentë”, tha ai.