Komanda ushtarake e Ukrainës sot (e diele) ka lëshuar një komunikatë ku thuhet se më shumë se 11 mijë trupa ruse janë vrarë qëkur presidenti rus, Vladimir Putin, i shpalli luftë shtetit të Evropës Lindore më 24 shkurt.
Më tej theksohet se forcat ruse kanë pësuar humbjen e 2 mijë njësive të armëve dhe pajisjeve ushtarake, duke përfshirë 285 tanke, 44 avionë dhe 48 helikopterë.
“Në rajonin e Luhanskut, e gjithë linja e frontit është e mbushur me kufoma dhe pajisje të pushtuesve”, thuhet në komunikatën e ministrisë të bërë të dielën, ditën e njëmbëdhjetë të pushtimit rus.
“Rusia nuk ka pësuar kaq shumë viktima gjatë luftimeve në asnjë nga konfliktet e saj të armatosura që nga fillimi i saj”, kishte thënë ministri ukrainas i mbrojtjes, pa raportuar për viktima nga pala ukrainase.