UBT News

​Uji i pa faturuar në vend mbi 50 për qind, humbjet komerciale arrijnë 20 milionë euro në vit

Mbetet sfidues niveli i lartë i ujit të pa faturuar në vend dhe implementimi i ulët i investimeve në sektorin e ujit.

Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, drejtues të Autoritetit të Rregullatorit të Ujit (ARrU), kanë thënë se humbjet vjetore komerciale në sistemin e ujit janë rreth 20 milionë euro në vit.

Drejtoresha e këtij Autoriteti, Hajrije Morina theksoi se përkundër që këtë vit ka rënë niveli i ujit të pa faturuar për 2 për qind, ajo tha se ende mbetet shifër e lartë niveli i ujit të pa faturuar në 53 për qind.

“Dy çështje më problematike dhe më sfiduese në sektorin e ujit, janë niveli i lartë i ujit të pa faturuar dhe niveli i ulët i implementimit të investimeve nga të hyrat vetanake. Uji i pa faturuar për vitin 2021 ka mbetur i njëjtë me vitin 2020 dhe realizimi i investimeve kapitale ka qenë në masën vetëm 37 për qind për ujërat për ujësjellës dhe 5 për qind për sistemet e kanalizimit… Ndërsa, ka shitje të ujit më të mëdha se që ka pasur. Në vitin 2021 janë shitur 135 litra për banor në ditë, tash kemi 141 litra për banor në ditë. Kjo si rrjedhojë ka ulur edhe nivelin e ujit të pa faturuar për 2 për qind dhe kjo është një ulje e lartë, në krahasim me 10 vjetët e fundit që ka qenë niveli pothuajse i njëjtë. Tash prej 55 për qind në 9 mujorin e këtij viti janë 53 për qind ujin e pa faturuar”, theksoi ajo.

Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të performancës të ofruesve të shërbimit të ujit për vitin 2021 dhe raportin për gjashtë mujorin e parë të vitit 2022, kryetari i Komisionit, deputeti Ferat Shala ka kërkuar nga ARRU fokus më të lartë sa i përket shërbimit dhe cilësisë së ujit në këtë kohë kur ka vërshime.

Deputeti Shala po ashtu kërkoi prioritet më të lartë në fushën e investimeve në sektorin e ujit.

“Për kualitetin dhe cilësinë e shërbimit të ujit të jemi më të përkushtuar me intensitet të lartë ndaj situatës së krijuara veçanërisht tash në këtë fazë. Problemet e vërshimeve dhe ndikimet e saj në aspektin e furnizimit me ujë të pijes do të kemi telashe të natyrës së papritur”, theksoi Shala.

Derisa zëvendësdrejtori i ARRU-së, Abedin Azizi përmendi humbjet komerciale në sektorin e ujit brenda një viti që arrijnë 20 milionë euro, deputeti Armend Muja tha se nga 55 për qind humbje, 30 për qind janë humbje komerciale.

“Nëse humbjet janë rreth 55 për qind, diku rreth 30 për qind janë humbje komerciale e pjesa tjetër janë humbje teknike. Prej 30 për qind të humbjeve komerciale, janë 20 milionë euro humbje komerciale në vit. Rrjedhimisht është ujë i cili vjedhjet për qëllime ekonomike operative, i cili nuk paguhet”, theksoi Muja.

Në këtë raportim u përmenden edhe tarifat e ujit, që sipas Autoritetit mbesin ende të ulëta në vendin tonë.

Exit mobile version