Uganda të mërkurën shpalli fundin e shpërthimit të ebolës që ua mori jetën të paktën 55 personave në gati katër muaj.
Ministrja e Shëndetësisë, Jane Ruth Aceng tha se asnjë rast i ri nuk është shënuar që nga 27 nëntori.
Sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një vend shpallet i lirë nga ebola nëse nuk ka infeksione për 42 ditë.
“Ne kemi kontrolluar me sukses përhapjen e ebolës në Ugandë”, tha Aceng.
Uganda deklaroi shpërthimin e saj të fundit të ebolës shtatorin e vitit të kaluar. Zyrtarët thanë se ishte shkaktuar nga lloji relativisht i rrallë i virusit Sudan, i cili nuk ka asnjë vaksinë ose trajtim të aprovuar me ilaçe.
Numri i infeksioneve dhe vdekjeve u zvogëlua pas një shpërthimi fillestar, me numërimin e përgjithshëm në 55 vdekje dhe 142 raste, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, lavdëroi “qeverinë, punonjësit shëndetësorë dhe komunitetet e Ugandës për “përkushtimin e tyre për t’i dhënë fund shpërthimit të Ebolës në më pak se katër muaj”.
“Edhe në mungesë të vaksinave apo terapive të miratuara për këtë specie të Ebolës, Uganda ishte në gjendje të përdorte mjete të vërtetuara të shëndetit publik për të frenuar shpërthimin”, tha ai në një deklaratë.
“Përshëndes punonjësit e përkushtuar shëndetësorë, partnerët dhe komunitetet që punuan ditë e natë për të shpëtuar jetë”, deklaroi ai tutje.
Sara Sempa, një biznesmene në kryeqytetin Kampala, e përshëndeti fundin e shpërthimit si “lajm të mirë për vitin e ri”.
“Kemi humbur shumë si shtet. Ne mezi ishim shëruar nga COVID-19, i cili shkatërroi bizneset tona, përpara se Ebola të ishte këtu”, tha ajo për Anadolu.
“Shpresoj që bizneset dhe mjedisi i përgjithshëm i biznesit të stabilizohen shpejt”, shtoi ajo.
Simplicious Gessa, zëdhënëse e Bordit të Turizmit të Ugandës, tha se sektori i turizmit të vendit po shpreson për një nxitje shumë të nevojshme.
“Ndryshe nga COVID-19, që ishte një gjë globale, Ebola veçoi Ugandën”, tha ai, duke shtuar se operatorët e industrisë mezi presin të mirëpresin turistët në vend.