UBT News

​Truss merr formalisht detyrën e kryeministres

Liz Truss ka marrë edhe formalisht detyrën e kryeministres britanike. Kjo pas takimit me Mbretëreshën Elizabetë në Kalanë Balmoral gjatë ditës së sotme.

Takimi i Truss me mbretëreshën pason atë të ish-kryeministrit Boris Johnson që dha dorëheqje paraditen e sotme dhe kjo u pranua nga e njëjta.

Mbretëresha ka vuajtur nga problemet shëndetësore, prandaj këto takime kanë ndodhur në Kalanë Balmoral në Skoci në vend të Pallatit Buckingham në Londër.

Pasi është emëruar, Truss do të shkojë në 10 Downing Street – vendi i saj i ri i punës dhe shtëpia e re. Këtu ajo do të mbajë fjalimin e saj të parë kryeministror për të shpjeguar prioritetet e saj.

Liz Truss një ditë më parë fitoi garën në Partinë Konservatore, duke siguruar postin e lideres së kësaj partie dhe të kryeministres së re të Britanisë së Madhe.

Në garën partiake, Truss fitoi 57 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e brendshme ishte e lartë, përkatësisht 82.6 për qind e anëtarëve partiakë votuan për udhëheqësin e ri.

Boris Johnson dha dorëheqje më 7 korrik, pasi qeveria e tij u përball me skandale etike.

Exit mobile version